Lajme

Kandidatët shqiptarë presin votën e shqiptarëve të dielën në Austri

Të dielën mbahen zgjedhjet lokale në disa komuna të Austrisë. Kandidatët shqiptarë presin të votohen edhe nga bashkatdhetarët e tyre

Zgjedhjet lokale në disa qytete dhe komuna të Austrisë do të mbahen të dielën, më 26 shtator. Si çdo herë, pjesë e garave politike janë edhe kandidatët shqiptarë. Ata presin që të dielën të votohen dhe të fitojnë një ulëse në mandatin e ri të Kuvendit Komunal, ku janë duke garuar.

“Voto shqip”

Arsim Gjergji, një gastronom i njohur në Graz, është thuajse me një këmbë brenda Këshillit Bashkiak të Gracit. Atij i duhet vetëm një shtytje e vogël për të qenë shqiptari i parë që bëhet pjesë e këtij Këshilli në qytetin e dytë më të madh në Austri.

37-vjeçari kandidon nga radhët e Partisë Social Demokrate të Austrisë – SPÖ. Gjergji mban numrin 5 në listë, ndërkohë është bartës i listës numër 1 në lagjen Innere Stadt (Qendra).

“Njoh shumë shqiptarë dhe më njohin. Janë shumë të dashur, shumë familjarë, të bashkuar dhe mirë të organizuar. Jam i bindur se të gjithë ata që kanë të drejtë vote do të më përkrahin dhe do të votojnë për mua. Mundësia është shumë e madhe që të kemi shqiptarin e parë  në Kuvendin e dytë më të madh në Austri, siç është Kuvendi Komunal i Gracit. Prandaj motoja ime drejtuar bashkatdhetarëve tanë është: “Voto shqip”!, ka thënë Arsim Gjergji për albinfo.at.

Arsim Gjergji

Do të jem zë i fuqishëm i komunitetit shqiptar

Në Grac po ashtu kandidon edhe një tjetër shqiptar. Art Julius Aurel, 29-vjeçari nga Kosova kërkon votën e bashkatdhetarëve tanë në Grac. Arti prej vitesh është anëtar i partisë ÖVP dhe merret kryesisht me temat e integrimit dhe jetesës. Edhe pse, sipas tij, shumë gjëra rrjedhin mirë në Grac, ai ndonjëherë ka ndjenjën se shumë njerëz që kanë ardhur kohët e fundit në Austri po lihen në baltë. Prandaj, Arti do të donte të shihte projekte më të mëdha nga qyteti i Gracit që do të lidhnin më mirë  komunitetet brenda Gracit. “Përveç kësaj, duhet të ofrohen kurse të veçanta trajnimi që i marrin njerëzit aty ku janë dhe pastaj t’i afrojnë ata me gjuhën dhe vlerat austriake”, thotë 29-vjeçari, për albinfo.at duke kërkuar votën e shqiptarëve dhe duke premtuar se do të jetë një zë i fuqishëm i komunitetit shqiptar në Këshillin Bashkiak të Gracit.

Art Julius Aurel

 

Dilni dhe votoni, votoni për të mirën tuaj!

Përveç në Grac, zgjedhje lokale do të mbahen të dielën edhe në Austrinë e Epërme (Oberösterreich). Njëri nga qytetet më të mëdha në Austri, është edhe qyteti i Linzit. Atje kandidon një grua shqiptare, Adriana Sherifi.

Adriana njihet në Linz si një udhëheqëse e disa shoqatave shqipare si dhe aktiviste e dalluar për të drejtat e të huajve, sidomos e grave në Austri dhe rrethinën e Linz-it, raporton albinfo.at. Ajo ka bërë thirrje komunitetit shqiptarë (me të drejtë vote) që të dalin dhe të votojnë.

“Më 26 shtator, ne, shqiptarët krenarë, të besës dhe të nderit, kemi mundësinë të tregojmë se kemi zënë mend dhe nuk blihemi me lëmoshë. Ka ardhur momenti që të gjithë së bashku ta përdorim votën si të vetmen mburojë dhe armë që kemi. Më 26 shtator, të gjithë t’u drejtohemi qendrave të votimit me mendimin e vetëm që votën do ta hedhim aty ku ne mendojmë që do të na shërbejë më mirë!, ka shtuar ajo. “Jetët tona marrin fund ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi, prandaj dilni dhe votoni”, thotë Adriana Sherifi.

Adriana Sherifi

 

“Bëhu rebel i paqes”

Në landin e Austrisë së Epërme kandidon edhe Bekim Thaçi. Ai është kandidat i Partisë së Gjelbër dhe garon në komunën Aschach an der Donau.

“Për mua, Aschach an der Donau është vendi i dytë i preferuar në botë dhe vendlindja e fëmijëve të mi, kështu që ajo që ndodh këtu është shumë e rëndësishme. Sigurisht, unë jam veçanërisht i interesuar për bashkëjetesën e kulturave dhe kombeve të ndryshme, por edhe për mbrojtjen e mjedisit”, ka thënë Bekimi për albinfo.at. Këto dhe shumë gjëra të tjera janë arsyet pikërisht pse ai i takon Partisë së  Gjelbër.

Bekimi gjatë këtyre zgjedhjeve ka përdor edhe një moto të Dalai Lamës: “Kam besim tek ju. Bëhuni rebel i paqes”.

Ndryshe, këta nuk janë të vetmit kandidatë shqiptarë që garojnë në komuna të ndryshme gjatë këtyre zgjedhjeve në Austri.  Albinfo.at ka provuar të kontaktoj pothuajse me të gjithë kandidatët shqiptarë, por disa prej tyre nuk kanë dashur të prononcohen.