Lajme

Kërkohet futja e Dubait në listën e zezë

Aktivistët dhe politikanët po bëjnë thirrje që Emiratet e Bashkuara Arabe të futen në listën e zezë për dështimet e tyre në luftën kundër “parave të pista” dhe për moszbatimin e sanksioneve të vendosura ndaj oligarkëve rusë

Emiratet janë shfaqur si një strehë kyçe për super të pasurit rusë që ikin nga ndikimi i sanksioneve globale, me avionë privatë dhe superjahte.

Bill Browder, financuesi dhe kritiku i regjimit të Vladimir Putin, tha se Dubai ka qenë prej kohësh një vend i sigurt për paratë e pista.

“Tani, vendi duhet të futet në listat e zeza financiare dhe liderët e saj nuk duhet të jenë të mirëpritur këtu”.

Ai theksoi se sanksionet dytësore duhet të vendosen ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, përveç nëse ato ofrojnë ndihmë për vendet që ndjekin pasuritë e oligarkëve.

Javën e kaluar u zbulua se, për më shumë se tre muaj, një nga avionët privatë më të shtrenjtë në botë, që i përkiste ish-pronarit të klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich, ishte ndalur në Dubai.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë përmendi fluturimin e fundit të regjistruar të Boeing 787 Dreamliner prej 350 milionë dollarësh – nga Moska në Dubai më 4 mars – në dokumentet ligjore që aplikojnë për sekuestrimin e tij.

Agjentët u autorizuan gjithashtu nga një gjykatës për të sekuestruar një avion të dytë që i përkiste Abramovich – një Gulfstream G650ER – në Moskë, pavarësisht se nuk kishte asnjë perspektivë që ai të konfiskohej menjëherë.

Hetuesit e FBI-së kanë gjetur, si shumë të tjerë që ndjekin pasuritë e oligarkëve, se gjurma shpesh të çon në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ka pasur gjithashtu një rritje të rusëve që blejnë prona atje.

Emiratet e Bashkuara Arabe u vendosën në një “listë gri” nga mbikëqyrësi global, Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) në mars për shkak të mangësive në masat e saj për të luftuar pastrimin e parave dhe krimet e tjera financiare, dhe tani ka thirrje që vendi të përfshihet në lista të ngjashme ndërkombëtare.

Zyrtarët në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk konsiderojnë se u kërkohet të zbatojnë sanksionet e hartuara nga vendet e tjera, por këmbëngulin se po punojnë për të korrigjuar shqetësimet e theksuara nga FATF.

Vendi nënshkroi gjithashtu një sërë paktesh të ndihmës juridike të ndërsjellë dhe ekstradimit me shtete të tjera, përfshirë SHBA-në, më 24 shkurt, në të njëjtën ditë kur rusët pushtuan Ukrainën.

Fati i avionit privat të Abramovich tani mund të jetë një provë e angazhimit të tij ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar. Më 25 shkurt, Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënonte pushtimin e Ukrainës.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë një destinacion popullor për turistët rusë dhe gjithashtu ka rreth 100 mijë banorë që flasin rusisht.