Tematike

Këto komunitete marrin më së shpeshti ndihma sociale në Zvicër

Në përcaktimin e shkallës së varësisë nga ndihma sociale janë përfshirë të gjitha komunitetet që në Zvicër kanë më shumë se 1000 pjesëtarë

Kuota e varësisë nga ndihmat sociale te disa komunitete të huaja në Zvicër shkon edhe mbi 50 për qind ndërsa te njëri, i afrohet 100 përqindëshit. Kështu, nga rreth 4.000 shtetasit e Somalisë sa jetonin në Zvicër në vitin 2017, ndihma sociale mernin pothuajse të gjithë, gjegjësisht 83.7%, që është përqindja më e lartë në mes të të gjitha komuniteteve, shkruan 20minuten.ch.

Kjo përqindje del nga analiza e bërë mbi shifrat e publikuara nga Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM).

Komunitetet tjera që janë afër kreut të listës janë eritreanët, me 54.7% dhe angolanët (54.0%). Ndërsa pas tyre vijnë irakianët, etiopianët dhe kongolezët, transmeton albinfo.ch. Në fund të listës ndërkaq janë kombet si japonezët me vetëm 0.6%, irlandezët (0.9) dhe australianët me 1.% të personave që marrin ndihma sociale. Te zviceranët, kuota e shfrytëzimit të ndihmave sociale është 2.3 për qind.

Në përcaktimin e shkallës së varësisë nga ndihma sociale janë përfshirë të gjitha komunitetet që në Zvicër kanë më shumë se 1000 pjesëtarë.

Komunitetet me prejardhje ballkanike, përfshirë edhe shqiptarët, nuk përfshihen në këtë publikim. Por në statistika tjera, të përpiluara sipas përqindjes që komunitetet përbëjnë në numrin e përgjithshëm të shfrytëzuesve të ndihmave sociale, shtetasit e Serbisë, Kosovës dhe të Malit të zi të  llogaritur së bashku, bëjnë pjesë me 4.4%, shkruan albinfo.ch. Dhe kjo është kuota më e lartë, pas asaj 42% të të gjithë shfrytëzuesve të ndihmave sociale, që e përbëjnë shtetasit zviceranë.

Për politikën, sidomos atë të krahut të djathtë, varësia e lartë e komuniteteve të caktuara nga ndihmat e shtetit paraqet një anomali që duhet eliminuar, në radhë të parë duke i integruar ato komunitete në tregun e punës.

Por integrimi profesional paraqitet i vështirë sidomos për njerëzit nga Afrika, të cilët nuk kanë pasur mundësi të gëzonin standarde arsimore të krahasueshme me ato evropiane, përcjell albinfo.ch. Kësaj i shtohen pastaj vështirësitë gjuhësore, dallimet kulturore dhe rrethana se në Zvicrën e teknologjisë së lartë nuk ka shumë vedne pune ku kërkohen punëtorë të thjeshtë, të pakualifikuar.

Federata dhe kantonet, duke identifikuar problemin, kanë lansuar të ashtuquajturën “Integrationsagenda”, përmes së cilës synohet integrimi më i shpejtë i refugjatëve në tregun e punës. Kjo agjendë pritet të ndikojë së paku në frenimin e rritjes së shpenzimeve në emër të ndihmave sociale. Por agjenda u cakton detyrime edhe refugjatëve, transmeton albinfo.ch. Kështu, sipas saj, të gjithë migrantët duhet që pas pak vitesh në Zvicër të njihen me shprehitë e jetës këtu dhe të kenë kontakte me vendüesit. Po ashtu ata të gjithë duhet që pas tri vitesh qëndrimi në Zvicër të zoterojnë njohuritë elementare të gjuhës së vendit.

Sipas sekretares së përgjithshme të Konferencës së Drejtorëve Socialë të Kantoneve, Gaby Szöllösy, në kreun e listë sa i përket shfrytëzimit të ndihmave sociale qëndrojnë ato kombe te të cilat migracioni është realizuar përmes fushës së azilit ose bashkimit familjar. Janë disa arsye që këto komunitete, (nga shtetet e përmendura afrikane) marrin më shpesh se të tjerët ndihma sociale, përcjell albinfo.ch. Veç tjerash, diplomat për profesionet që ata i kanë absolvuar në vendet e tyre nuk njihen në Zvicër. Pastaj gjendja shëndetësore e rëndë për shkak të përjetimeve traumatike në vendin e tyre dhe numri i madh i fëmijëve që kanë, i bëjnë ata të varur nga ndihmat sociale.