Kosova
KFOR-i as pohon e as mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmuar pretendimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë se më 21 nëntor një grup policësh të Kosovës të armatosur rëndë kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare në fshatin Çirkoviq, në territorin e komunës së Leposaviqit.
KFOR-i në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë tha se situata përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e qetë dhe se po vazhdojnë të ndjekin zhvillimin e ngjarjeve.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibile dhe jemi të pozicionuar mirë për t’u përgjigjur për çdo skenar të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë shumëvjeçar që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, tha KFOR-i.
Në fund të përgjigjes së tij, KFOR-i tha se për këtë çështje specifike, pra nëse Policia e Kosovës ka kaluar ose jo vijën kufitare, “drejtojuni autoriteteve serbe për komente të tjera”.
Pas kësaj, REL i është drejtuar sërish KFOR-it për të specifikuar se përse vetëm autoritetet serbe janë kompetente të japin përgjigje për këtë çështje, por REL-i nuk ka marrë ende përgjigje.
Policia e Kosovës të enjten, më 21 nëntor, i cilësoi si të pavërteta pretendimet e Serbisë se policët e Kosovës kaluan në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë.
“Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformat që ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, u tha në reagimin e Policisë së Kosovës.
Ministria serbe e Mbrojtjes tha se “kalimi i paautorizuar i vijës administrative” mes Serbisë dhe Kosovës paraqet “provokim të rrezikshëm dhe kërcënim për paqen” dhe shtoi se se Ushtria e Serbisë po ndjek situatën në terren dhe është e gatshme të reagojë në përputhje me Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të Kumanovës.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë gjithashtu ka kërkuar nga KFOR-i, “si e vetmja forcë ushtarake ligjore dhe legjitime” në territorin e Kosovës, që “të marrë masa në përputhje me mandatin e tij dhe të parandalojë autoritetet përkohshme të Prishtinës në përpjekjet për të shkaktuar një përshkallëzim të dhunës”.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 21 nëntor se pret reagimin e Shteteve të Bashkuara sepse “ata e dinë që ishte [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti ai që e urdhëroi këtë me qëllim”.
Ai kërkoi nga SHBA-ja që të njoftojnë Serbinë nëse ka të drejtë “kur thotë se Kurti personalisht urdhëroi provokimin dhe hyrjen e forcave të tij të armatosura në territorin e Serbisë”.
“Ai priste që këta individë të likuidoheshin dhe kjo të ishte arsyeja për të përfshirë NATO-n në një konflikt me Serbinë. Herën tjetër, ne do të reagojmë në përputhje me rregullat e plota të shërbimit ushtarak”, tha Vuçiq për transmetuesin publik serb.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë dhe Departamentit amerikan të Shtetit me kërkesën për të komentuar këto pohime të presidentit serb, por këto dy institucione ende nuk janë përgjigjur.
Kosova dhe Serbia kanë një linjë kufitare prej rreth 350 kilometrash, dhe më shumë se 60% e kësaj linje kalon nëpër komunat në veri të Kosovës, të banuara kryesisht nga serbë.
E-Diaspora
-
Mbretëria e Bashkuar prezanton eVisa për udhëtarët nga Kosova Ambasada britanike në Kosovë njofton ndryshime të rëndësishme për vizat... -
Suedi
Aulon Nura, sukses i diasporës kosovare në inxhinierinë hapësinore -
Lejla kërkon drejtësi për gjyshin: Dënimi i shkaktarit të vdekjes së tij, tepër i butë -
Samiti IV i Diasporës Shqiptare – Diaspora rikthehet në shtëpi! -
Arrestohet kosovari, ka sulmuar një hebre në Cyrih
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Mbi 1 milion persona u kapën pa biletë në transportin publik në vitin 2025 Numri i udhëtarëve që përdorin transportin publik pa biletë të vlefshme në Zvicër ka arritur një... -
Jeffrey Epstein kishte interes të blinte vila luksoze në Lucern dhe Zug në Zvicër -
Medikamenti i parë për Alzheimer-in i autorizuar në Zvicër -
Shëndeti mendor në Zvicër u godit më pak nga Covid-i se në vendet e tjera, sipas një studimi -
Sigurimet private refuzojnë rimbursimin e faturave: Qindra pacientë të prekur në Gjenevë dhe Vaud









