Shqipëria përtej bregdetit

Klosi: Shqipëria, para një sezoni kulmor turistik

“Përveç  bukurive të natyrës, që na i ka falur natyra, kemi bërë investime. Mbrapa realitetit aktual turistik, qëndron një punë e madhe e bërë nga ana e biznesit shqiptar këto 2 dhjetëvjeçarët e fundit”, thotë ministri i turizmit, Blendi Klosi

Ministri shqiptar i turizmit, Blendi Klosi, në intervistën e tij për albinfo.ch tregon  përse pritshmëritë për këtë sezon turistik në Shqipëri janë maksimale. Ndër risitë që e dallojnë këtë sezon nga të mëparshmit, sipas tij, veç tjerash janë: hapja  e sezonit  turistik veror jo më me 2 muaj, por me 150 ditë, – fjala është për sezonin e verës, ndërkohë kemi  turizëm gjithëvjetor dhe alternativ, kulinar, kulturor  etj. –  pastaj punimet  që po bëhen në destinacionet kryesore të turizmit, nëpër fshatra si dhe investimet që janë bërë në  qytete si Durrësi,  Shëngjini, Velipoja etj. Ai u kujton turistëve të huaj se në Shqipëri “do të gjejnë një turizëm të diversifikuar. Rreth 500 aktivitete janë programuar nga Ministria e Turizmit, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Bujqësisë për t’u  zhvilluar në të gjithë vendin si koncerte, festivale, festa etj”.

Albinfo.ch: Shqipëria është një nga destinacionet turistike më interesante të momentit në botë, edhe sipas renditjes në mediat e specializuara ndërkombëtare. Cili është realiteti aktual  turistik?

Blendi Klosi: Mbrapa realitetit aktual turistik, qëndron një punë e madhe e bërë nga ana e biznesit shqiptar këto 2 dhjetëvjeçarët e fundit. Janë bërë shumë investime për të ndryshuar imazhin e vendit, për të rregulluar qendrat e qyteteve. Rilindja urbane  është një shembull konkret se si një investim publik mund të shndërrohet në një përfitim ekonomik. Sheshet e qyteteve janë shndërruar në pika turistike të mirëfillta. Nga ana tjetër mendoj se edhe stabiliteti politik i vendit është një faktor që e bën Shqipërinë destinacion turistik tërheqës, sepse siguria është një nga kërkesat  kryesore të turistëve të huaj. Përveçse kemi bukuritë natyrore, që dukshëm kanë qenë në vëmendjen e  medias së huaj të specializuar, të gjitha sa thashë më sipër janë pjesë e këtij realiteti.

Cilat janë konkretisht disa nga risitë e këtij viti?

Së  pari ishte hapja e sezonit veror jo më me 2 muaj, por me 150 ditë. Fjala është pra për turizmin veror, pasi ndryshe, kemi turizëm gjithëvjetor, kulturor, kulinar etj. Kjo u arrit përmes koordinimit me të gjithë faktorët. Risi tjetër është rilindja rurale, pra  punimet që po bëhen në destinacionet kryesore të turizmit, nëpër fshatra si dhe investimet që janë bërë në qytete si Durrësi, Shëngjini, Velipoja. Një investim i jashtëzakonshëm është bërë në Vlorë, në Himarë dhe në Sarandë. Investime të mëdha janë bërë edhe në bregun e liqenit të Pogradecit, në qytetin e Korçës. Tirana është, gjithashtu, një destinacion shumë i pëlqyer për turistët e huaj. Pra përveç bukurive të natyrës, që na i ka falur zoti natyra, kemi bërë investime, kemi zhvilluar edhe turizmin kulturor, përmes restaurimit të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe objekteve të kultit.

Sa delikat është ky sektor dhe çfarë pritshmërishë keni, krahasuar me vitet e tjera?          

Turizmi, sa është një sektor fitimprurës, i fuqishëm dhe që prodhon të mira materiale, aq është edhe shumë delikat, pasi mund të bëhen gabime që do ta cënonin zhvillimin progresiv. Ndaj ne kemi shtuar edhe numrin e profesionistëve në këtë sektor. Rritja e numrit të turistëve na ka vënë para shumë përgjegjësive. Këtë vit presim shumë më tepër turistë se 3-4 vitet e fundit. Sipas parashikimeve do të kemi një rritje me rreth 17% të turistëve të huaj. Në vitin 2017, i gjithë komuniteti që menaxhon turizmin pati rreth 200 – 300 milionë euro fitim. Pra shohim se turizmi është një nga industritë tona më të forta, aktualisht. Nëse do të kemi këto prurje, parashikohen të ardhura të mëdha për të gjithë. Ajo që shohim këtë vit është shtimi i çarterëve turistikë nga vende të ndryshme si nga Izraeli, Rusia, nga vendet skandinave, vendet balltike. Pra jemi futur në axhendën e këtyre operatorëve ndërkombtarë. Në tërësi  pritet  të kemi mbi 300  fluturime çarterësh.

Si ka qenë bashkëpunimi këtë vit me operatorët vendas?

Në mënyrë të vazhdueshme kemi komunikuar dhe jemi konsultuar me të gjithë operatorët shqiptarë. Ata kanë ditur t’i bindin edhe partnerët e tyre evropianë  për potencialin turistik të Shqipërisë. Sigurisht që janë vendosur rregulla të forta për të gjithë, kemi një raport shumë më të strukturuar, pasi ky është një biznes që po zhvillohet me shpejtësi. Rregulla të forta edhe mbrojtje të këtij biznesi. Në mbyllje të çdo sezoni kemi analizuar dhe do të analizojmë, edhe këtë herë, problematikat e vitit. Unë shpresoj se do të kemi një sezon të shkëlqyer, por sigurisht që do të ketë nevojë për përmirësime, në mënyrë që gjithçka të jetë më mirë për vitin e ardhshëm.

Një mesazh për të  huajt që duan të vijnë në Shqipëri?

Do të gjejnë një turizëm të diversifikuar. Rreth 500 aktivitete janë programuar nga Ministria e Turizmit, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Bujqësisë  për  t’u  zhvilluar në të gjithë vendin  si koncerte, festivale, festa.  “Festa në pjatë” është një nga risi-të e këtij viti, për shembull. Edhe pastërtia e mjedisit  është e një niveli shumë më të lartë, krahasuar me vitet e tjera, pas një përfshirjeje të dhjetëra mijëra vullnetarëve që pastruan territorin. Por sigurisht pjesë e gjithë këtij realiteti janë edhe vlerat njerëzore si mikpritja dhe buzëqeshja.

Stabiliteti politik, një plus për turizmin

Nga ana tjetër mendoj se edhe stabiliteti politik i vendit është një faktor që e bën Shqipërinë destinacion turistik tërheqës, sepse siguria është një nga kërkesat  kryesore të turistëve të huaj.

Priten mbi 300 fluturime çarterësh

Ajo që shohim këtë vit është shtimi i çarterëve turistikë nga vende të ndryshme si nga Izraeli, Rusia, nga vendet skandinave, vendet balltike. Pra  jemi futur në axhendën e këtyre operatorëve ndërkombtarë. Në tërësi pritet të kemi mbi 300 fluturime çarterësh.