Lajme

Kompania që fitoi 40 për qind më shumë të ardhura pasi aplikoi vetëm 4 ditë punë në javë

Në një kohë kur bota po del nga një pandemi e cila bëri që shumë njerëz të rivlerësojnë balancën e tyre punë-jetë, kompanitë dhe punonjësit në mbarë botën po kërkojnë të punojnë më pak

Kur shefi i kompanisë franceze Laurent de la Clergerie vendosi të lejonte stafin e tij të punonte katër ditë në javë, me të njëjtën pagë si më parë, ai e dinte se rrezikonte të dëmtohej financiarisht.

“Disa njerëz më morën për një njeri të çmendur”, kujton ai.

Por një vit më vonë ai thotë se ka ndodhur krejt e kundërta: kompania e tij LDLC, e cila shet teknologji për konsumatorët, ka rritur xhiron e saj vjetore me 40% pa punësuar asnjë staf shtesë.

Sekreti, tha ai, është se rreth 1,000 punonjësit e firmës së tij ndihen se u është dhënë besimi dhe vlerësimi i merituar, dhe kështu ata janë më produktivë.

“Në fund të ditës, ky akt ka sjellë vetëm gjëra të mira për ekipin”, tha 51-vjeçari de la Clergerie.

Në një kohë kur bota po del nga një pandemi, e cila bëri që shumë njerëz të rivlerësojnë balancën e tyre punë-jetë, kompanitë dhe punonjësit në mbarë botën po kërkojnë të punojnë më pak, ashtu siҫ ndodh te firma e de la Clergerie.

Microsoft e bëri të premten një ditë pushimi për 2,300 punonjësit e saj në Japoni në vitin 2019 dhe tha se produktiviteti u rrit me 40%. Grupi i produkteve të konsumit Unilever filloi të provonte javën me katër ditë punë për stafin që ndodhet në Zelandën e Re. Kompania spanjolle e telekomunikacionit Telefonica ka filluar të aplikojë javën me katër ditë punë për 10% të punonjësve të saj në Spanjë.

Johann Peters, i cili punon në një nga dyqanet e LDLC pranë selisë së saj në periferi të Lionit, në Francën juglindore, e shfrytëzon ditën shtesë të pushimit duke shkuar në supermarket për të bërë blerjet e javës. Më pas, ai shoqëron vajzën e tij 9- vjeçare, Melissa, për te kursi i tenisit.
“Pas ditës së pushimit, mund të fillosh punën shumë më i shplodhur dhe më efikas nga ana operative”, tha ai.

De la Clergerie tha se përpara se të bënte këtë ndryshim, ai bëri llogaritë edhe për skenarin më të keq, sipas të cilit do t’i duhej që të shtonte koston e punës me më së shumti 1.5 milion euro në vit. Sipas tij, ky ishte një risk i menaxhueshëm.

Që atëherë, ai tha se mungesat dhe lejet me raport mjekësor kanë rënë ndjeshëm dhe kompanisë nuk i është dashur të punësojë njerëz të rinj për të kompensuar uljen në numrin e orëve të punës.

Megjithëse java me katër ditë punë nuk ishte faktori i vetëm që e solli këtë, de la Clergerie tha se ajo kishte kontribuar në një rritje të xhiros nga rreth 500 milionë euro përpara këtij ndryshimi, në afër 700 milionë euro.

Celine Henniaux, një 36-vjeçare që punon në një nga qendrat e shpërndarjes së firmës, tha se nuk kishte dëshirë që gjërat të kthehen si më parë.

“Jo jo”, tha ajo. “Tani na pëlqen të kemi një ditë pushimi gjatë javës”. / World Economic Forum


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI