Bota
Kongresi certifikon fitoren e Presidentit të zgjedhur Trump
UASHINGTON – Kongresi amerikan zyrtarisht certifikoi fitoren elektorale të Presidentit të zgjedhur republikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, duke i hapur rrugë betimit të tij më 20 janar.
Certifikimi i rezultatit zgjedhor të hënën në 50 shtetet dhe në Distriktin e Kolumbisë u përcoll me një ceremoni të shkurtër zyrtare gjatë një seance të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Kjo seancë u udhëhoq nga Nënpresidentja Kamala Harris, rivalja demokrate e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale, e cila u paraqit në rolin e drejtueses së Senatit.
Ky ritual, që bëhet çdo katër vjet, dalloi nga ngjarjet e para katër viteve kur një turmë përkrahësish të zotit Trump hynë me forcë në Kapitol, duke bërë një përpjekje të dështuar për ta bllokuar certifikimin e humbjes së vitit 2020 të Presidentit të atëhershëm Trump ndaj Presidentit demokrat Joe Biden.
Zoti Trump vazhdon të bëjë pretendime të pavërtetuara se humbja e tij në vitin 2020 ishte rezultat i një vjedhje të përhapur. Ai ka vazhduar të shprehë shqetësime të ngjashme gjatë tërë fushatës së vitit 2024, deri në momentin kur arriti të fitonte ndaj zonjës Harris më 5 nëntor.
“Kongresi certifikoi sot fitoren tonë të mahnitshme – një moment i madh në histori. MAGA (inicialet për sloganin “Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhërishme)”, shkruajti zoti Trump të hënën në platformën e tij sociale, Truth Social.
Seanca e përbashkët e Kongresit u mbajt megjithë stuhinë e borës e cila përfshiu kryeqytetin amerikan, me reshje dëbore që arritën deri në 15 centimetra dhe që penguan qarkullimin e automjeteve.
Certifikimi përfundimtar vulosi rezultatet paraprake se zoti Trump fitoi 312 votat e Kolegjit Zgjedhor krahasuar me 226 votat e zonjës Harris.
Republikanët do të kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin
Republikanët po ashtu fituan shumicën e vendeve në Senatin amerikan dhe një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit, fitore që do t’i japin zotit Trump përkrahjen e partisë, e cila i nevojitet për të zbatuar planin e tij për shkurtim të taksave dhe dëbim të emigrantëve të jashtëligjshëm.
Demokratët nuk u përpoqën që të bllokojnë certifikimin e fitores së zotit Trump të hënën.
“Na duhet të angazhohemi sërish që të mbrojmë demokracinë amerikane”, tha nënkryetarja e ligjvënësve demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve, Katherine Clark. “Si përfaqësues të zgjedhur, ne duhet t’i jemi besnik, në radhë të parë dhe gjithnjë ndaj Kushtetutës. Jemi këtu për të respektuar vullnetin e popullit dhe sundimin e ligjit”.
Të tjera nga Bota
E-Diaspora
-
Një ditë e bukur plot gëzim dhe kujtime të paharrueshme ...një shëtitje me karakter shkollor të nxënësve të disa shkollave shqipe dëshmoi edhe njëherë se organizimet... -
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle -
Dy motrat shqiptare që humbën jetën në aksident ishin nga Zvicra – flet babai i tyre -
Kthehet nga Gjermania, mërgimtari përballet me vjedhje në shtëpinë e tij -
Manifestim kulturor shqiptar në Bavari, nderohet figura e komandantit Bekim Berisha – “Abeja”
Jeta në Zvicër
-
Rekord i ri i nxehtësisë në Gjenevë Një temperaturë prej 36 gradë Celsius u regjistrua në Gjenevë-Cointrin duke shënuar 23 qershorin më të... -
Zyrtarja e migracionit lirohet nga akuza: “Shkeljet nuk ishin të natyrës penale” -
Firma Kantonale e IT-së shpërblen me 14.000 franga mbajtjen e punonjësve -
Zvicër: Integrimi i inteligjencës artificiale në biznese po rezulton më i ndërlikuar sesa pritej -
Ku qiramarrësit kursejnë pjesën më të madhe të pagave të tyre










