Kosova

Kongresistët amerikanë takohen me krerët e Kosovës

Në takim u diskutua edhe për investimet e Kosovës në mbrojtje, zhvillimin teknologjik, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me SHBA-në, si dhe për reformat në sektorin e arsimit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim një delegacion bipartizan të Kongresit Amerikan, i përbërë nga kongresisti republikan Keith Self dhe kongresisti demokrat Suhas Subramanyam.

Gjatë takimit, siç bëhet e ditur nga komunikata për media, Kurti foli për çështjet e mbrojtjes, paqes dhe sigurisë në rajon, duke i falënderuar kongresistët për mbështetjen ndaj aspiratës së Kosovës për anëtarësim në NATO, transmeton albinfo.ch.

Ai veçoi Rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, të cilat mbështesin integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike dhe kërkojnë vazhdimin e kontributit të forcave amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it.

Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e përputhshmërisë në politikën e jashtme mes Kosovës dhe aleatëve perëndimorë.

Në takim u diskutua edhe për investimet e Kosovës në mbrojtje, zhvillimin teknologjik, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me SHBA-në, si dhe për reformat në sektorin e arsimit.

Duke folur për vizitën që kongresistët zhvilluan paraprakisht në Luginën e Preshevës, Kurti deklaroi se pakicat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të gëzojnë të drejta të krahasueshme. Keith Self është kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa Suhas Subramanyam është anëtar i Nënkomisionit për Çështje Ushtarake dhe të Jashtme.

Takimi me Haxhiun

Anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe siguria në rajon ishin temat kyç të takimeve mes krerëve shtetërorë të Kosovës me delegacionin nga Kongresi amerikan.

Kongresistët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokratin Suhas Subramanyam, zhvilluan takime të ndara me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Për Kosovën, anëtarësimi në NATO është çështje e sigurisë afatgjatë, paqes rajonale dhe vendit të saj “mes shteteve demokratike”.

Kështu tha pas takimit me delegacionin nga Kongresi amerikan, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu. Sipas Presidencës, Haxhiu e falënderoi Selfin për mbështetjen e ofruar për rrugën e Kosovës drejt NATO-s dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ajo tha se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara në siguri, mbrojtje, ekonomi, diplomaci dhe integrim euroatlantik.

“Për Kosovën, miqësia me Shtetet e Bashkuara është edhe institucionale, por edhe personale. Populli ynë e mban mend kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne”, tha Haxhiu, sipas njoftimit për media.

Takimi me Konjufcën

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Glauk Konjufca, ka pritur kongresmenin amerikan Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Në takim ishte e pranishme edhe e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Konjufca ka shprehur mirënjohje për rolin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, duke theksuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve është ndërtuar në momentet më të rëndësishme për lirinë, sigurinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Ai ka falënderuar kongresmenin Keith Self për angazhimin e tij ndaj Kosovës, përfshirë iniciativat në Kongresin amerikan që mbështesin anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe adresimin institucional të çështjes së të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ministri në detyrë ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë, duke theksuar se SHBA-ja mbetet aleati kryesor strategjik dhe partner i rëndësishëm historik i Kosovës.