Kosova

Konkurs fotografik, Kosovë-Shqipëri: “Colours of Albanians 2022”

Kushdo do të bëhet pjesë e këtij konkursi mjafton të hedhë një foto nga jeta e përditshme, nga një udhëtim, nga një eksperiencë në Shqipëri apo Kosovë në faqen në Instagram apo Facebook të hapur për këtë qëllim

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës znj. Donika Gërvalla së bashku me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë znj. Olta Xhaçka, dhe pjesëtarë nga kabinetet qeveritare të të dyja vendeve kanë lansuar ditë më parë zyrtarisht garën e konkursit të përbashkët fotografik Kosovë-Shqipëri “Colours of Albanians 2022”.
Gjatë këtij aktiviteti që u zhvillua në margjina të Mbledhjes së përbashkët të të dyja qeverive në Elbasan, u bë e ditur se kjo iniciativë e përbashkët nën moton “Gjurmët identitare” do të jetë një fushatë promovuese për shqiptarët, përmes fotografive që do të shpërndahen në formë dixhitale nga të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e saj, transmeton albinfo.ch.
Me këtë rast ministrja Gërvalla theksoi se pjesë e kësaj iniciative përveç shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri do të jenë të gjithë shqiptarët përreth dy vendeve por edhe mërgata, me qëllim që ngjyrat shqiptare të pasurohen dhe të shkëlqejnë edhe më fuqishëm në të gjithë botën.
“Ne si institucione do të përpiqemi që këto ngjyra të mos lëmë cep të botës pa i treguar në mënyrë që pavarësisht nëse dikush i njeh apo jo ngjyrat shqiptare, natyrën tonë, veçantitë tona kulturore të kenë shansin që përmes këtij aktiviteti, kësaj gare të mund të shohin atë që nuk kanë arritur ta shohin deri më tani”, ka thënë Gërvalla ndër të tjera, duke siguruar që në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Tregtisë do të ketë angazhim konkret që kjo iniciativë të realizohet suksesshëm dhe në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2022, të shijohen rezultatet e saj.
Ndërsa ministrja e Jashtme e Shqipërisë znj. Olta Xhaçka theksoi se ky konkurs synon, të vendosë krah për krah të shkuarën dhe të tashmen. “Konkursi bazohet tek një ide fare e thjeshtë: synon të shohë shqiptarët, Shqipërinë dhe Kosovën, me sytë e njerëzve të thjeshtë, shqiptarë ose të huaj. Synon pra të shohë shqiptarët e trevat shqiptare në të dy vendet tona pa filtra, ashtu siç janë, ashtu siç perceptohen e përjetohen nga njerëzit. Me pak fjalë, çdokush që do të bëhet pjesë e këtij konkursi mjafton të hedhë një foto nga jeta e përditshme, nga një udhëtim, nga një eksperiencë në Shqipëri apo Kosovë në faqen në Instagram apo Facebook të hapur apostafat për këtë qëllim. Fotot fituese, do të bëhen në finale pjesë e një botimi i cili do të shpërndahet më pas në të gjithë botën përmes rrjetit të përfaqësive tona”, ka thënë ajo.
Ndryshe konkursi Colours of Albanias apo Ngjyrat e Shqiptarëve, funksionon fare thjeshtë: çdokush me një aparat të telefonit të tij apo aparat fotografik, ftohet të fiksojë një moment nga jeta e përditshme, nga udhëtimet nëpër cepa e vende të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, një moment nga jeta personale si banor apo vizitor në këto vende dhe ta postojë këtë foto ose video në platformën sociale Instagram apo Facebook duke përdorur hashtagun #ColoursofAlbanians2022 dhe tag @coloursofalbanians
https://instagram.com/coloursofalbanians…
Koleksioni i fotove dhe videove në mbyllje të konkursit do t’i kaloj jurisë të përbërë nga personalitete të njohur të artit e të fotografisë të cilët do të zgjedhin fotot dhe videot më të mira të cilat më pas do të shpërndahet në të gjithë botën nëpërmjet përfaqësive diplomatike të shërbimit të jashtëm të Kosovës dhe Shqipërisë.