Futboll

Kosova, me dy përforcime nga Zvicra

Për ndeshjet e nëntorit, Kosovës, pritet t’i bashkohen edhe mbrojtësi Mirlind Kryeziu dhe sulmuesi Shkëlqim Demhasaj

Numri i futbollistëve shqiptarë që po zgjedhin të luajnë për Kosovën, po rritet. Madje, shumë prej tyre vijnë nga Zvicra, shkruan albinfo.ch.

Për ndeshjet e nëntorit, Kosovës pritet t’i bashkohen edhe mbrojtësi Mirlind Kryeziu dhe sulmuesi Shkëlqim Demhasaj.

Mirlind Kryeziu është 21 vjeç dhe ka qenë pjesë e Zvicrës U17, ndërsa prej sezonit 2016/17 është pjesë e Zurich, ku ka luajtur shtatë ndeshje kampionati këtë sezon.

Gjithashtu edhe Demhasaj do të luajë për Kosovën, derisa ai ishte pjesë e Zvicrës U21 prej vitit të shkuar.

Ka qenë vetë trajneri Bernard Challandes ai që ka konfirmuar gjithçka, në konferencën për shtyp. “Jemi duke kompletuar dokumentacionin për Demhasajn dhe Kryeziun”, tha trajneri zviceran.

Challandes ka folur edhe për Florent Hadërgjonaj, për të cilin tha: “Ai duhet të jetë i vendosur që të luajë për Kosovën dhe ta konsiderojë të domosdoshme që të luajë për shtetin e vet dhe ta mendojë së rezervë. Disa herë kemi kontaktuar me të dhe asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje të saktë. Prandaj, ai dhe të tjerët që mendojnë të vijnë të luajnë për Kosovën duhet ta thonë qartë dhe me vendosmëri”.

Trajneri zviceran është shprehur se e respekton zgjedhjen e Albian Ajetit që të luajë për Zvicrën.