Futboll

Kosova pret edhe 2 futbollistë nga Zvicra

Florent Hadërgjonaj dhe Bastien Toma kanë pranuar të veshin fanellën e përfaqësueses dhe ata do të jenë pjesë e listës këtë pranverë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll po përgatitet këtë vit për një kalendar të ngjeshur, ku do të luajë në kualifikimet e Evropianit 2020.

Skuadrës së trajnerit Bernard Challandes, pritet t’i shtohen elementë të tjerë cilësorë që do të ngrenë lojën në një tjetër nivel.

Trajneri zviceran i Kosovës, Bernard Challandes ka konfirmuar se janë shumë afër dy prurjeve të reja, raporton “KTV”.

Florent Hadërgjonaj dhe Bastien Toma kanë pranuar të veshin fanellën e përfaqësueses dhe ata do të jenë pjesë e listës këtë pranverë, përcjell albinfo.ch.

Florent Hadërgjonaj nuk ka bërë asnjë paraqitje për skuadrën e parë të Zvicrës, ndërsa ka të drejtë ta zgjedh Kosovën. Futbollisti i Huddersfieldit në Premier Ligën angleze, është aktivizuar më parë në kombëtaret e moshave të helvetikëve duke spikatur në të djathtë të mbrojtjes.

Lojtari tjetër Bastian Toma, 19 vjeç aktualisht aktivizohet te Sion dhe ka pranuar të luajë për Kosovën por pret konfirmimin nga UEFA. Edhe ai është aktivizuar me përfaqësueset e moshave në Zvicër.

Trajneri zviceran ka folur edhe për fjalët që ka mësuar shqip. “Mund të them që jo edhe shumë. ‘Mirëdita’, ‘Faleminderit’, ndoshta edhe disa fjalë të tjera”.

Ai foli edhe për zgjedhjet e futbollistëve. “Nuk mund të themi se kemi problem luksoz, por tani kemi më shumë lojtarë dhe me këtë problemin tjetër, Kosova, Shqipëria, apo Zvicra, Gjermania, apo Austria, pasi çdo lojtar tani ka dy apo tri mundësi, nuk është problem për mua, por është një situatë e qartë. Dhe më duhet ta pranoj këtë, për shembull, ne tani kemi shumë lojtarë të rinj cilësorë, në Gjermani, Zvicër apo Austri. Ne flasim me ta, unë i vëzhgoj ata, por lojtarët e lindur në vitin 2000 apo 2001, në Gjermani tani një lojtar, ka luajtur për Stuttgartin, ky lojtar do që të presë pak, sepse nëse ke gjasa të luash për Gjermaninë, apo me Zvicrën, ndoshta është zgjedhja e parë, dhe unë më duhet ta pranoj. Nëse luan me ekipin U 19, U 20, të Gjermanisë dhe unë jam babai i një lojtari nga Kosova, që luan për Gjermaninë, unë nuk mund t’i them ‘shko luaj për vendin e gjyshërve të tu’. Nëse ai ka një gjasë me Gjermaninë, në rregull presim pak. Nëse merr ftesën nga Gjermania, ok, shko luaj për Gjermaninë, për mua nuk është më problem nëse lojtari apo familja e tij më thonë: ju lutem na prisni pak, unë do të pres”, ka thënë Challandes.

Trajneri zviceran komenton edhe zgjedhjet e lojtarëve me dy nënshtetësi. “Është rasti i Bastien Thomas te Sioni. Ka luajtur shumë mirë me klubin, tani mund edhe të kalojë te një skuadër tjetër. I kam thënë që, nëse vendos të luajë për Kosovën, unë do të jem i lumtur me këtë. Vetëm këtë ia kam thënë. Unë nuk i kam premtuar asgjë, nuk e thërras çdo javë në telefon, e njoh shumë mirë situatën e tij. Kam biseduar edhe me prindërit, edhe me agjentin, pasi disa herë, agjenti është më i rëndësishëm në këtë vendim. Më kanë thënë të rri i qetë dhe të pres. Unë do të presë, pa problem. Sa i përket Zvicrës dhe federatës, kam punuar 10 vjet aty dhe ata më njohin se unë jam i sinqertë, edhe ata duhet ta pranojnë këtë një lojtar, si Behrami që ka vendosur, Shaqiri po ashtu, Xhaka ka vendosur për Zvicrën. Problemi është se një lojtar nga Kosova, në një tjetër vend i kalon dhjetë vjet, apo 5-6 vjet në kombëtare të ndryshme, U15, U16 U17, U18, U19, pas kësaj, ai shkon e vendos për dikë tjetër. Të gjitha përgatitjet, federata i ka paguar për të, kanë investuar në të dhe pas kësaj, lojtari thotë nuk dua më të luajë për ju. Në këtë situatë, mund të jetë një problem, por ne e kemi parë në Zvicër, kemi shumë lojtarë me dy shtetësi dhe që kanë vendosur për Zvicrën. Ne e kemi humbur vetëm një lojtar dhe unë isha atëbotë trajner i Zvicrës U21, me Rakitiqin. Rakitiqi ka luajtur me ekipe të ndryshme të grupmoshave. Mendoj se ne e kemi humbur vetëm Rakitiqin”.