Lajme

Kosovarët dhe turqit, të diskriminuar në blerjen e apartamenteve

Ata zbuluan se kandidatëve me emra kosovarë ose turq nuk u jepej aq shumë mundësi për të parë apartamente si aplikantë jo të huaj ose aplikantë me emra evropianë, edhe pse praktika të tilla janë të paligjshme në Zvicër

Para referendumit të së dielës nëse duhet të kufizohet numri i emigrantëve që vijnë në Zvicër nga BE, është interesante të shikohen të dhënat që tregojnë se çfarë qëndrimesh ka popullata zvicerane ndaj të huajve të saj.

Statistikat e lëshuara nga Zyra Federale e Statistikave (BFS) për vitin 2018 – viti i fundit për të cilin shifra të tilla janë në dispozicion, “tregojnë nivelin e hapjes së popullsisë, duke u përqëndruar në qëndrimet ndaj të drejtave të të huajve dhe në sjelljet e tyre”.

“Në përgjithësi, popullsia është tolerante”, gjeti BFS, shkruan The Local, përcjell albinfo.ch.

Për shembull, 67 për qind e të anketuarve janë kundër kthimit të shtetasve të huaj në vendin e tyre të origjinës kur puna në Zvicër bëhet më e pakët; 61 për qind janë për bashkimin familjar të të huajve që kanë jetuar në Zvicër për të paktën pesë vjet.

Për sa u përket pjesëmarrjes së shtetasve të huaj në procesin politik zviceran, 47 për qind e mbështesin këtë ide, por 52 për qind e kundërshtojnë atë.

Rezultatet e tjera janë po aq interesante, përcjell tutje albinfo.ch.

Për shembull, 64 për qind besojnë se punëtorët e huaj janë thelbësorë për ekonominë e Zvicrës, ndërsa pak më shumë – 66 për qind – mendojnë se emigrantët bëjnë punën që vendasit zviceranë nuk duan të bëjnë.

Shumica dërmuese, 70 për qind, hedh poshtë argumentin e grupeve populiste të Zvicrës se të huajt janë përgjegjës për çdo rritje të shkallës së papunësisë.

Popullsia është e ndarë në lidhje me një pretendim tjetër nga partitë e djathta – se të huajt abuzojnë me përfitimet sociale zvicerane: 51 për qind nuk ishin dakord me këtë deklaratë, ndërsa 47 për qind po.

Grupet e krahut të djathtë si Partia Popullore Zvicerane (SVP), e cila qëndron mbrapa referendumit të së dielës, argumentojnë gjithashtu se Zvicra u bë më pak e sigurt për shkak të fluksit të të huajve.

Sidoqoftë, 71 për qind nuk ishin dakord me këtë dhe 70 për qind refuzojnë një tjetër pohim të SVP – se prania e emigrantëve në klasë ka një efekt negativ në arsimimin e fëmijëve zviceranë, përcjell tutje albinfo.ch.

Këto shifra tregojnë se zviceranët kanë një qëndrim kryesisht pozitiv ndaj të huajve në mesin e tyre.

Sidoqoftë, një studim i kryer në vitin 2019 nga Qendra Kombëtare e Kompetencës në Kërkim, i cili analizon migrimin dhe lëvizshmërinë, tregon se, në raste të caktuara, emigrantët diskriminohen kur kërkojnë një punë.

Studimi zbuloi se njerëzit me prejardhje të huaj duhet të paraqesin 30 për qind më shumë aplikime sesa kandidatët vendas zviceranë në mënyrë që të ftohen në një intervistë pune – edhe nëse kualifikimet e tyre janë të njëjta.

Studime të tjera tregojnë se një fenomen i ngjashëm ndikon në kërkimin e apartamenteve.

Sociologët nga Universitetet e Gjenevës, Neuchâtel dhe Lausanne zhvilluan një studim eksperimental mbi diskriminimin në tregun e strehimit në Zvicër duke dërguar 11,000 aplikime fiktive në përgjigje të reklamave të pasurive të patundshme, transmeton albinfo.ch.

Ata zbuluan se kandidatëve me emra kosovarë ose turq nuk u jepej aq shumë mundësi për të parë apartamente si aplikantë jo të huaj ose aplikantë me emra evropianë, edhe pse praktika të tilla janë të paligjshme në Zvicër.

Por studiuesit thanë se Zvicra nuk është përjashtim dhe diskriminim i ngjashëm ndaj aplikantëve të huaj për punë dhe strehim ekziston edhe në vendet e tjera evropiane.