Bota

Kriza e refugjatëve çon Gjermaninë nga e djathta

Më shumë se 600 sulme ndaj strehimeve të refugjatëve, Pegida e AfD, fjalime urrejtjeje në internet. Gjermania e 2015-ës nuk është më vetëm vendi i kulturës së mikpritjes. Po rritet edhe një armiqësi e re kundër të huajve

28 gusht, ora 2.07, Hauptstrasse 70 në fshatin e vogël Salzhemmendorf pranë Hammeln. Një shtëpi trikatëshe është e përfshirë nga flakët. Që prej pak kohësh atje jeton një familje nga Zimbabveja. Nën krevatin e fëmijës 11 vjeçar, djalit Alvin, zjarrfikësit gjejnë pak më vonë një bombë molotov (shishe me lëndë shpërthyese). Këtë shishe e kanë vërvitur në katin përdhes. Akte ekstreme dhune si ky ka qindra në Gjermani. Për krahasim: në vitin 2011 u ndërmorën 18 atentate kundër strehimeve të azilkërkuesve, katër vjet më vonë janë mbi 600.

Por në vitin 2015 Gjermania tregon një fytyrë tjetër. Mijëra ndihmës vullnetarë, që nga nxënësi deri te pensionistja furnizojnë sirianët, afganasit dhe irakianët e ardhur. Ka arinj prej pellushi dhe çokollata për fëmijët, ndihmë për t’u marrë vesh me autoritetet për prindërit, shkruan deutschewelle.de. Ndihma aktive këtej e tutje quhet kulturë e mikpritjes. Në botën e jashtme çuditen për “crazy germans”, për gjermanët e çmendur, edhe ne vetë jemi pak të prekur për zemrën tonë të madhe. Gjermania dhe refugjatët – kjo është tema mbizotëruese e vitit. Vetë Angela Merkeli gati e pasulmueshme gati lëkundet, kur u hap kufijtë atyre që kanë nevojë për ndihmë.

Merkeli polarizon

Ndërkohë nuk është më nguti i ndihmëvse, ai që karakterizon klimën publike në politikën ndaj refugjatëve. Në 8 dhjetor u regjistrua refugjati i 1.000.000. Por që më parë ndeshi në rezistencë politika e dyerve të hapura e Merkelit: në partinë e saj, në kabinetin e saj, në komuna. Në rrugë. Në vitin 2015 shoqëria gjermane tregohet thellësisht e copëtuar.

Etika e argumentuar historikisht e dhënies azil, e lindur nga mësimet e diktaturës naziste dhe të Luftës së Dytë Botërore, ndesh në kundërshtim të hapur të atyre, që e shohin të mbingarkuar shtetin dhe shoqërinë. Armiqësia ndaj të huajve rritet, dëshmojnë demoskopët. Politika ndaj refugjatëve dhe e azilimit e qeverisë gjermane është sipërfaqja ku projektohet fobia e re kundër të huajve. Kjo fobi ushqehet para së gjithash nga lëvizja raciste Pegida, partia populiste AfD (Aleanca për Gjermaninë) dhe partia ekstremiste e djathtë NPD.

Tipari dallues: ata e shohin veten vetë si viktima dhe kërkojnë “të mbrohen” nga refugjatët, nga të huajt, – kjo vlen para së gjithash për mbështetësit e Pegidas. “Një fenomen rajonal”, thekson David Begrich, “i cili është i kufizuar kryesisht në Saksoni”. Si taban për të përforcuar tingullin shërben e gjithë Lindja e Gjermanisë. Begrich, teolog dhe sociolog nga Magdeburgu, është ekspert për ekstremizmin e djathtë. Për të është e sigurtë, që në Lindje preferohen koncepte poklitike, të cilat premtojnë kthim në një shoqëri homogjene.

Mbështetësit e Pegidas janë meshkuj, janë në mes të jetës së tyre dhe shumica e tyre kanë një vend të përhershëm pune. Në demonstratat e të hënave ata bëjnë thirrje rregullisht për “pushtet të popullit” dhe për kulturën e krishterë të Oksidentit. Kjo në një kohë kur Evropa, thotë David Begrich, nuk është në asnjë vend tjetër më pak fetare se ç’është në Lindje të Gjermanisë.

Kurbani – demokracia reprezentative

Përfundim interesant: simpatizantët e Pegidas janë të shkolluar. Shumë prej tyre kanë ndjekur edhe shkollën e lartë. Në parim ata e konsiderojnë të mirë demokracinë, thotë Lars Geiges nga Instituti i Gëtingenit për Kërkimet në fushën e demokracisë. Ndërsa sistemin e demokracisë reprezentative ata e konsiderojnë si difektoz. Ata kërkojnë më shumë demokraci direkte dhe referendume të rregullta, si në Zvicër.

E re është që pakënaqësinë e tyre ata e shprehin me zë të lartë. Më të vjetra janë shkaqet e humbjes së sigurisë prej tyre. Pakësimi i shërbimeve sociale nga kancelari socialdemokrat Gerhard Schröder që prej vitit 2003 ishte baraz me një humbje të shërbimeve të zakonshme. Miliona të papunë marrin që atëherë pak mbështetje ose e shohin veten në punë që u sjellin pak para. Potenciali i protestës vjen pa dyshim nga ndjenjat e punonjësve të paguar keq ose më keq në sektorin e shërbimeve. Postieri me shkollë të lartë i paketave konsiderohet prej kohësh si prototip i të zhgënjyerit nga shoqëria. Ky lëndim i thellë shpërthen tani duke pasur refugjatët si simbol të armikut.

AfD ku mblidhen qytetarët e zemëruar

E krijuar si lëvizje kritike ndaj Euros vetëm pak vite më parë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) ishte gati para shkatërrimit – derisa u nda. Tani, prej disa muajsh ajo po merr mbështetje maksimale në popull, sipas demoskopëve. Kritika për Euron thuajse është harruar. Partia e re po gjen veten si parti kundër refugjatëve. Po të zhvilloheshin zgjedhje sot, AfD do të hynte në Parlament me një rezultat dyshifror. Me këtë do të hynte në Bundestag një parti, për të cilën eksperti i njohur i ekstremizmit të djathtë, Hajo Funke thotë se ajo mbron një ekstremizëm të tipit shovinist-nacionalist.

Partia Nacionaldemokratike e Gjermanisë, NPD së fundi po përjetonte një tatëpjetë të pandërprerë. Tema e refugjatëve i jep kësaj partie një mbështetje të lehtë. Në pranverë, Gjykata Kushtetutese gjermane do të shqyrtojë edhe njëherë një ndalim të kësaj partie.

Mesi po radikalizohet

Më pak se 25.000 vetë llogariten në bazë të statistikave në spektrin ekstremist të djathtë në Gjermani. Jo më shumë se 2500 vetë janë të organizuar për veprimtari ekstremiste të djathta. Me sa duket nuk ekziston një plan i përgjithshëm, për të gjithë Gjermaninë për sulme kundër strehimeve të refugjatëve. Kjo sepse më shumë se dy të tretat e të gjithë dorasve dalin zakonisht të rinj të zonës, të cilët nuk e kishin tërhequr kurrë më parë vëmendjen e policisë. Një dëshmi se një pjesë e mesit deri tani të qetë të shoqërisë po radikalizohet.

Këtu përfshihet edhe që si reagim, gjithnjë e më shumë njerëz marrin pjesë në demonstrata në mbështetje të të huajve. Eksperti Hajo Funke është i bindur që potenciali ksenofob në Gjermani do të reduktohet sërish, nëqoftëse politika do të arrijë të ndjekë një politikë të qartë azilimi si dhe t’i strehojë refugjatët. Angela Merkel dëshiron t’ia dalë mbanë, thuhet në fund të artikullit të dw.