Kosova

Kryeministri i Shqipërisë: Me Kurtin dhe Vuçiqin komunikimi ishte pozitiv

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se dje dielën ka pasur darkën e parë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, teksa sipas tij, komunikimi në tryezë ishte pozitiv.

“Është hera e parë që jam në një darkë me Albinin dhe Vuçiqin dhe më rezulton që u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve, ashtu si kundër më rezulton se ky format e këto kërkesa që i ka sot BE-ja nga ne, për të na dhënë mundësinë që të marrim më shumë në aspektin ekonomik, flasin vetë për atë që më ka rënë goja për gjithë këto vite. Ne të integrohemi brenda rajonit që të jemi gati kur të duhet të bëjmë një hap më tej në BE”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.

Tutje, sipas tij, vendet duhet t’i shfrytëzojnë mekanizmat e Procesit të Berlinit dhe të “Ballkanit të Hapur” për të ecur në rrugën evropiane.

“Nëse ne do t’i kishim bërë të gjitha gjërat që mund t’i kishim bërë në kundër të Procesit të Berlinit dhe duke shfrytëzuar mekanizmat e ‘Ballkanit të Hapur’, si mekanizma të hapur do të ishim gati. S’jemi gati sepse kemi humbur kohë dhe kemi harxhuar shumë energji duke u marrë me terminologji… Janë rezultat i mungesës së vizionit strategjik të përbashkët, të gjithë anëtarët e 6 vendeve dhe mungesa e dëshirës për të ndarë çështjet e brendshme me të madhen që është sa e madhe aq e brendshme”, është shprehur kryeministri i Shqipërisë.

Ndër të tjera, Rama ka thënë se Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë qëndrimin për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Shqipërisë, i pyetur për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, ka thënë se “kjo është punë që nuk ka një datë, pasi duhen përpjekje të përditshme”.