Bota

Kthehet kontrolli në kufirin Danimarkë-Suedi

Risi në regjimin e kontrollimit është autorizimi që Qeveria e Suedisë u ka bërë ndërmarrjeve të transportit që ato vetë ta bëjnë këtë kontroll

Duke filluar nga e hëna (sot) në kufirin në mes Danimarkës dhe Suedisë sërish do të vendoset regjimi i kontrollimit të pasaportave. Kjo nënkupton që punonjësit e ndërmarrjeve të transportit detyrohen të kontrollojnë të gjithë udhëtarët që kalojnë në këtë segment, qoftë në trena, në autobusë apo në tragetë.

Vendimi për kontrollimin sistematik të kufijve vjen si rezultat i mobilizimit të Suedisë kundër fluksit të madh të refugjatëve që kanë mësyrë këtë vend, shkruan dpa.de. Qeveria e Suedisë synon që në këtë mënyrë të frenojë këtë trend.

Suedia, gjatë vitit që shkoi, ka pasur më së shumti azilkërkues nga të gjitha vendet e Evropës,  llogaritur me numrin e banorëve të saj. Bëhet fjalë për rreth 200 mijë refugjatë, ardhja e të cilëve e ka sjellë qeverinë para problemeve të mëdha për sigurimin e strehimit ë tyre.

Risi në regjimin e kontrollimit është autorizimi që Qeveria e Suedisë u ka bërë përmes një ligji të miratuar në dhjetor, ndërmarrjeve të transportit që ato vetë ta bëjnë këtë kontroll. Ky vendim eshtë kritikuar ashpër nga ndërmarrjet hekurudhore dhe ato të trageteve, të cilat kanë tërhequr vërejtjen nga rritja e kostos dhe nga zgjatja e kohës së nevojshme për udhëtim.

Të pakënaqur me këtë vendim janë shprehur edhe danezët, të cilët e pësojnë më së shumti  pasi që si pasojë e tij, të gjithë refugjatët që do të shkonin në Suedi, mbeten në Danimarkë.