Lajme

Ku mund të votojnë të huajt?

Vetëm qytetarët zviceranë mund të votojnë në referendume kombëtare ose në zgjedhje federale. Por në disa rajone, të huajt lejohen të marrin pjesë gjithashtu

Sipas Zyrës Federale të Statistikave (BFS), disa kantone dhe komuna u japin të huajve rezidentë të tyre të drejtën për të votuar për çështje lokale dhe për të zgjedhur politikanë vendas.

“Duke pasur të drejtën për të votuar dhe për t’u zgjedhur, të huajt mund të luajnë një rol aktiv, por të kufizuar në shoqëri”, thuhet në informacionin e BFS-së.

Aty shtohet se megjithatë, pasi Zvicra është një shtet federal, “ka dallime të konsiderueshme midis kantoneve, dhe në disa raste, midis komunave. Si rezultat, mundësitë për pjesëmarrje politike varen fuqimisht nga vendi ku jeton një person”, shkruan The Local, përcjell albinfo.ch.

Pra, në cilat rajone mund të kenë shtetasit e huaj një zë në punët lokale?

Kantonet dhe komunat zvicerano-franceze duket se janë përpara homologëve të tyre gjermanofolës në lidhje me të drejtat e votës.

Kantonet si: Fribourg, Vaud, Neuchâtel dhe Jura lejojnë që jo-qytetarët zviceranë të votojnë, të zgjedhin zyrtarë dhe të garojnë për zgjedhje në nivelin komunal. Kushtet ndryshojnë nga një kanton në tjetrin, por në shumicën e rasteve kërkohet një kohëzgjatje e caktuar e qëndrimit dhe / ose një leje qëndrimi të përhershëm.

Në Vaud, për shembull, ku 30 për qind e popullsisë është e huaj, emigrantët mund të kandidojnë ose të ulen në Këshillin Komunal ose të Qytetit, si dhe të nënshkruajnë një iniciativë ose një referendum komunal.

Sidoqoftë, për t’u kualifikuar, ata duhet të jenë mbi 18 vjeç (ashtu si qytetarët zviceranë), të kenë një leje qëndrimi për të paktën 10 vjet dhe të jetojnë në kanton për të paktën tre vjet.

Të gjithë shtetasit e huaj regjistrohen drejtpërdrejt në regjistrin zgjedhor pasi të plotësohen kërkesat, dhe automatikisht marrin materialin zyrtar për votat dhe zgjedhjet në nivelin komunal, përcjell tutje albinfo.ch.

Gjeneva, e cila ka popullsinë më të madhe të huaj në Zvicër (45 për qind), u jep të huajve të drejta vote në nivelin komunal.

Kantonet: Basel, Graubünden dhe Appenzell Ausserrhoden kanë autorizuar komunat e tyre për të futur të drejtën e votës, të drejtën për të zgjedhur dhe të drejtën për t’u zgjedhur.

Por pak nga komunat kanë futur në të vërtetë këto masa, përcjell tutje albinfo.ch.

Në Graubünden, vetëm 10 nga 208 komuna të kantonit po lejojnë të huajt të votojnë: Bever, Bonaduz, Calfreise, Cazis, Conters im Prättigau, Fideris, Lüen, Masein, Portein dhe Schnaus.

Vetëm tri nga 20 komunat e kantoneve: Appenzell Ausserrhoden – Wald, Speicher dhe Trogen – u dhanë të drejta vote jo-qytetarëve zviceranë.