Lajme

Kur fqinjët fillojnë të të përshëndesin dhe qentë nuk të lehin më, ka ardhur koha të ikësh

Me këtë moto bredhin botën e fitojnë eksperiencën e jetës gjermanikët e grupit „Freiheitsbruder“.

Ata dalin nga shtëpia me veshjet tradicionale, të ngarkuar me një thes e nje shkop të trashë, ku marrin vetëm disa gjëra personale, veglat e punes dhe me vetëm 5 euro në xhep detyrohen ta braktisin shtëpinë e vendin për më së paku tri vjet e një ditë.

Nuk është më e panjohur për ne që gjatë muajve të nxehtë të verës, shumë turistë kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar. Ata janë kryesisht shqiptarë nga diaspora, por edhe nga Kosova dhe vende tjera përreth. Shqipëria është bërë destiniacion i pushimeve të lira në detin me ujë të kristaltë në jugun e vendit e me hotele e ushqime që konkurrojnë edhe vendet me traditë të gjatë në sektorin e turizmit. Kështu, ka disa vite që askush nuk i sheh më me habi turistët nga Evropa qendrore si polakë të cilët janë të shumtë në Shqipëri, skandinavë, gjermanofolës e të tjerë që vizitojnë Shqipërinë për plazh. Por kurreshtja rritet kur vëren njerëz që lëvizin me veshje karakteristike, shumë të nxehta për kohën e verës dhe të panjohura për vendin.

Kështu, gjatë një ndaljeje të rastësishme në fshatin turistik Qeparo në afërsi të Vlorës, takojmë dy burra të rinj në një restorant në afërsi të plazhit me veshje tradicionale që ngjajnë me ato të vendeve gjermanofolëse. Këto veshje tradicionale ne i njihnim nga jeta jonë në Zvicër. Kështu pa hezituar i përshëndesim në një gjermanishte të Zvicrës dhe fillojmë kontaktin me dy gjermanët e rinj të cilët ka dy vite e gjysmë që bredhin rrugëve të Evropës dhe mbi gjashtë javë në Shqipëri.

Historia e tyre është interesante dhe ne ju sjellim një storie përmes një videokronike dhe një përbledhjeje më të gjerë për këta dy burra të rinj që i takojnë një grupi të quajtur “Freiheitsbruder” që në gjuhën shqipe përkthehet si “Vëllazëria e Lirisë”.

Këta dy gjermanë janë pjesë e familjes “Freiheitsbruder” që është themeluar në vitin 1910 nga muratorët e Zvicrës në Bernë me rregulla të qarta që zbatohen në mënyrë strikte edhe sot për secilin që bëhet pjesë e kësaj familjeje.

Outfiti i tyre përbëhet nga veshje tradicionale të punës që duhet të vishen gjatë udhëtimit. Si një shenjë dalluese, vëllezërit e lirisë së huaj veshin “nderin e kuq” (kravatë) me një stemë si një simbol të përkatësisë. Një kapelë, pantallona dhe jelek.

Ata mund të marrin me vete të mbështjellur në një leckë në formë thesi të quajtur “Charlottenburg”, shkopin, ndërresat, rrobat dhe veglat e punës. Udhëtimin “Ecje në këmbë” apo si e njohim ne, hiking, mund ta bëjnë vetëm ata që janë nën moshën 30 vjeçare, janë beqarë, pa fëmijë dhe pa borxhe.

Distanca prej shtëpisë për tri vjet duhet të jetë më së paku 50 km larg dhe këto 50 kilometrat e para duhet të bëhen në këmbë. “Në mënyrë që të dini sa janë këto 50 kilometra”, thonë rregullat e tyre. Kurse telefoni celular është tërësisht i ndaluar. Rrugën për tri vjet duhet ta bëjnë në këmbë, të orientuar përmes hartave apo me autostop. Nëse ndonjëri shkel rregullat, ata humbasin nderin, librin e zanatit dhe duhet të heqin dorë nga zanati i tyre.
Andreasi ka bërë zanatin e zdruthktarit. Ai është nga Nördlingen i Gjermanisë dhe i takon grupit „Freiheitsbruder” (vëllazëria e lirisë). Ai ka 6 javë që po qëndron në Shqipëri duke ecur vendin cep më cep.
„Tani kemi zbarkuar në Shqipëri. Kemi punuar katër javë në veri të Shqipërisë. Vizitojmë vendin dhe njihemi me kulturën këtu“, tregon ai për albinfo.ch

Ata flasin anglisht, por kanë mësuar edhe pak shqip sa për t’u orientuar. “Ne udhëtojmë për të punuar dhe punojmë për të udhëtuar. Por edhe për te njohur vendin e njerëzit, kulturën dhe mënyrën e punës në vend të huaj”, tregon Andreas, i cili bashkë Kallen ka dy dy vjet e gjysmë që është duke udhëtuar nëpër shumë vende të Evropës. “Gati ia kemi dalë e së shpejti guxojmë të kthehemi në shtëpi. Por edhe këtu larg është mirë, të shohim kur do të kthehemi në shtëpi”, thotë për albinfo.ch ai.

“Vëllai” i tij Kalle ka bërë zanatin e muratorit. Ai është nga Wiesbaden dhe i takon po ashtu grupit „Freiheitsbruder“. Duket që i nxehti përvëlues në Qeparo e ka lodhur. “Gjatë verës veshjet tona janë shumë të nxehta. Kurse gjatë dimrit shumë të ftohta, por ky outfit është pjesë tradicionale e Vëllazërisë sonë, si dhe bagazhi ynë dhe kështu ne paraqitemi në publik”, tregon shpesh duke përdorur edhe fjalë në gjuhën shqipe të cilat ka arritur t’i mësojë për këto gjashtë javë sa ka punuar dhe bredhur nëpër Shqipëri, nga veriu në jug.

“Ecja jonë me veshje tradicionale duhet të zgjasë më së paku tri vjet e një ditë që nënkupton se hiking duhet të zgjasë më shumë se koha e marrjes së zanatit dhe gjatë kësaj kohe ne e kemi të ndaluar t`i afrohemi shtëpisë sonë në një zonë prej 50 km vijë ajrore”.
Kalle dhe Andreas kanë punuar 6 ditë në Shqipëri dhe kanë fituar 2500 lekë (20Euro) në ditë. Ata i ka punësuar një murg për renovimin e një shtëpie. Me këto të holla ata ushqehen dhe vazhdojnë ecjen.

“Kemi qenë në Fushë-Arrëz, Pukë e pastaj kemi vizituar Shkodrën dhe nga aty kemi vazhduar për Tiranë dhe pastaj në drejtim të bregdetit pak për t’u freskuar në këto temperatura të larta”, tregon Kalle për albinfo.ch.

Pasi të kenë vizituar jugun e Shqipërisë ata duan të kthehen në Krujë për t’u njohur me historinë e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, për të cilin tanimë kishin marrë njohuritë e para.