Kosova

Kurti: Në Betejën e Koshares, në radhët e UÇK-së luftuan vullnetarë nga Evropa dhe jo vetëm

Sot Kuvendi i Kosovës mbajti seancë solemne në nderim të 25-vjetorit të Betejës së Kosharës, ku më 9 prill u thye kufiri Kosovë-Shqipëri, që shërbeu në aspektin strategjik në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në fjalën e tij kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në radhët e UÇK-së kanë luftuar vullnetarë nga Evropa dhe jo vetëm.

“Meqë Beteja e Kosharës ishte luftë për liri dhe meqë liria ishte paradigmë universale, në Betejën e Kosharës i gjejmë të rënë dëshmorë edhe Francesco Giuseppe Bider nga Italia, Petra Arnold Piere nga Franca dhe Murat Muhamet Ali nga Algjeria”, tha Kurti.

Tutje, Kurti përmendi edhe një nga një dëshmorët e rënë nga gjitha trojet shqiptare.

Ai theksoi se nga radhët e Serbisë kishin luftuar mercenarë nga Serbia.

 

Përditësim i lajmit

Osmani: Me të rënët në Betejën e Koshares u realizua ëndrra shekullore, thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar

Kuvendi i Kosovës po mban seancë solemne në nderim të Betejës së Koshares.

Në fjalën e saj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se si popull e si komb, shqiptarët ditën të mobilizohen në një front të përbashkët, ku burra e gra mbrojtën dinjitetin për liri e shtet.

Osmani tha se sikurse edhe në shumë kapituj të historisë së luftës së Kosovës, guximi, sakrifica dhe vendosmëria përmblidhen edhe në Betejën e Koshares, ku tha se rezistencës së armatosur i parapriu rezistenca paqësore nën udhëheqjen e presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Kjo rezistencë paqësore për gati një dekadë ka sfiduar padrejtësinë e regjimit kriminal serb, ka bashkuar të gjithë shqiptarët rreth kauzës për liri, pavarësi e demokraci dhe është shndërruar në frymëzim për botën, duke shënuar kthesë si rezistenca paqësore me efektin më të madh në historinë moderne, sepse si rezultat pati jo vetëm bashkimin e shqiptarëve në një qëllim, por edhe ndërtimin e aleancave më të fuqishme, të cilat na dolën në ndihmë duke parandaluar shfarosjen që e synonte regjimi serb”, tha Osmani.

E para e shtetit tutje tha se Beteja e Koshares shënon një ndër betejat më të suksesshme të luftës të UÇK-së kundër forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë.

“Në këtë betejë të filluar më 9 prill 1999, grupi operativ 3 nën udhëheqjen e oficerëve të rryer ushtarakë e profesionistë, si Rrustem Berisha, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Anton Çuni e shumë të tjerë arritën që ta realizojnë ëndrrën shekullore, thyerjen e kufirit shqiptaro – shqiptar”.

“Pas dy ditësh luftime në fushë të nderit, ra strategu i papërsëritshëm ushtarak, frymëzuesi i të gjithë luftëtarëve, piktori, poeti e artisti Agim Ramadani – Komandant Katana. Megjithëse humbje e madhe për luftën, rënia e Agim Ramadanit shtoi forcën, motivin dhe vendosmërinë që idealin dhe amanetin e tij, bashkëluftëtarët ta çojnë deri në fund”, tha Osmani.

 

Përditësim i lajmit

Konjufca: Beteja e Koshares ishte me karakter ndërkombëtar, sepse u zhvillua krah për krah me NATO-n

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një nga ngjarjet më të mëdha të kombit shqiptar në 100 vjetët e fundit.

Ai ka vazhduar duke thënë se Beteja e Koshares është njëra ndër betejat më të lavdishme të shqiptarëve për çlirimin nga Serbia.

“Kosharja ia dha namin UÇK-së si ushtri e aftë për ta sfiduar armatën e Jugosllavisë dhe duke e bërë atë të paaftë për të garantuar kufirin e vendosur dhunshëm midis Kosovës dhe Shqipërisë. Beteja e Koshares u bë shtegu pakthim i përpjekjeve për çlirim dhe bashkim, ishte sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të UÇK-së. Shembja e gurit të kufirit me çizmen e Agim Ramadanit dhe Sali Çekut ishte njëra nga ngjarjet më historike të luftës tonë çlirimtare”, ka thënë Konjufca.

Konjufca më tej ka shtuar se kjo betejë kishte edhe karakter ndërkombëtar.

“Është një nga betejat më historike sepse u zhvillua në një operacion krahpërkrah me NATO-n për ndalimin e spastrimit etnik. Është ngjarje me karakter ndërkombëtar, jo vetëm sepse aty morën pjesë dhe ranë tre dëshmorë të huaj, po edhe sepse kjo betejë e humbi përfundimisht kontrollin e Jugosllavisë mbi kufirin e vendosur dhunshëm në mes shqiptarëve dhe i dha goditje Jugosllavisë dhe Serbisë”.

Gjithashtu ai ka thënë se një nga aspektet që e karakterizon këtë betejë është përfshirja e shqiptarëve nga të gjitha trevat, bashkë me mërgatën.