Kosova

Kurti: Rama të mos ngutet, të konsultohet me Kosovën, para Beogradit

Ai u shpreh se Tirana dhe Prishtina përpara se të marrin pjesë në samite duhet të konsultohen

Albin Kurti u shpreh se Shengeni Ballkanik është një kurs i rrezikshëm, duke aluduar për synimet e fshehta të Serbisë. Ai kërkoi nga Edi Rama që të mos nxitohet, ndërsa u shpreh se Tirana dhe Prishtina, përpara se të marrin pjesë në samite, duhet të konsultohen.
“Në gërmadhat e Jugosllavisë së dytë, Millosheviqi ngriti të tretën që ishte gjenocidale, Vuçiq i përket asaj klike që erdhi në pushtet pas Millosheviqit, që të jetë më ekstrem se ai dhe nuk kam dyshim që synon Jugosllavinë e katërt me synim zgjerimin e saj. Unë besoj se Kosova dhe Shqipëria nuk do të bashkohen nëse këtë e shohin përmes platformave rajonale”, tha ai në Report TV.“Ky është një kurs i rrezikshëm që nuk mund të ketë miratimin tonë. Nuk jam kundër nismave rajonale, por jo para bashkëpunimit me Shqipërinë. Të heqim njëherë barrierat me Shqipërinë, pastaj me Serbinë. Rama duhet të bashkëpunojë më shumë me Malin e Zi dhe Maqedoninë para Beogradit. Te mbledhja e Ohrit, i vetmi nga Bosnja që e mbështeti ishte ministri nga Serbia. Tirana nuk duhet të ngutet”.

“Kur janë qëllimet e mira, gabimet nuk janë të përjashtuara. Tirana e njeh më mirë se ne Italinë dhe Greqinë, ndërsa ne veriun dhe lindjen. Nuk ma ka marrë mendja se do të mbahet mbledhja e Ohrit pa Kosovën, pas asaj që ndodhi në Serbi. Për mua ishte e befasishme që u mbajt pa u konsultuar edhe të tjerët. As Tirana dhe as Prishtina nuk bën të shkojnë në nisma rajonale pa folur më parë. Ne mund ta zëvendësojmë njëra-tjetrën, por jo të guxojmë të kemi dy politika të jashtme”, shtoi ai, përcjell Albinfo.ch.

Kosova mungoi në samitin e Ohrit, ndërsa Albin Kurti, fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, deklaroi në Report Tv se përpara se të marrë një vendim, do ta diskutojë me qeverinë dhe grupet e interesit, biznesin. Ai foli edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kur tha se uron që ta ketë bërë një gjë të tillë në Shqipëri. Samitin e Ohrit ai e cilësoi si të ngutshme.

“Së pari besoj që Samiti i Ohrit, apo mbledhja e dytë e kësaj vale të re nuk është dashur që të mbahet. U mbajt takimi i parë, u tha se në Ohër do të vijnë të gjithë, por nuk shkoi Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja patën përfaqësim simbolik. Kur spostohet edhe Samiti i Parisit, nuk ka pse të mos spostohet për një datë tjetër edhe i Ohrit. Ishte e gabueshme dhe e pashpjegueshme ngutia që medoemos tani të mbahet kjo mbledhje në Ohër, kur dihet se Kosova nuk do të marrë pjesë.

“Çfarëdo iniciativa duhet t’i bëjë vendin parimit të reciprocitetit që do të zbatojë qeveria e re e Kosovës. Edhe LDK-ja, edhe unë, gjithsej 2/3 e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë për reciprocitet me Serbinë. Do të mbledh qeverinë për ta diskutuar këtë gjë dhe me shoqatat dhe organizatat, unionet për të parë se çfarë dobie kanë për Kosovën? Duhet ta shohim. Kemi nevojë që ta bëjmë një diskutim të tillë me biznesin dhe shpresoj që Rama ta ketë bërë me biznesin në Shqipëri”, tha ai.