Integrimi

Kush mund ta shpëtojë reperin Besian Kaçorraj nga dëbimi në Kosovë?

Një vendim i fundit nga një instancë gjyqësore ia ka fundosur pothuaj të gjitha shpresat se do të mbesë këtu. Lidhur me këtë goditje më të re, magazina e lajmeve 10vor10 ka bërë një reportazh ku përcjell gjendjen aktuale të Besianit

 

Kur u pyet për dëshirën e tij të fundit, Beskos iu mbushën sytë me lot. “Unë dëshiroj të paktën edhe një shtyrje. Thjesht, dua që të jem këtu në ditëlindjen e parë më 15 shkurt 2016 të djalit tim”.

Kështu shkruante albinfo.ch më 23 dhjetor të vitit të kaluar, për reperin e njohur zviceran me prejardhje shqiptare Besian Kaçorraj, alias “Besko”. Dhe Besko e ka festuar tashmë ditëlindjen e të birit, dhe ende është në Zvicër ndonëse një vendim i fundit nga një instancë e lartë gjyqësore ia ka fundosur pothuaj të gjitha shpresat se do të mbesë këtu.  Lidhur me këtë goditje më të re, magazina e lajmeve 10vor10 ka bërë një reportazh ku përcjell gjendjen aktuale të Besianit, transmeton albinfo.ch. Atij i ka ardhur edhe refuzimi i fundit.

Ndjehet i goditur pasi që ai nuk e njeh jetën në Kosovë. Në Zvicër, më saktë, në Cyrih, është e gjithë jeta e tij e deritashme. Ka ardhur para 30 vitesh në Zvicër e sot është 31 vjeçar. Është rritur pa babain i cili po vuante një dënim të rëndë në Kosovë ndërsa nëna punonte në ndërrimin e natës dhe i duhej që Besianin ta dërgonte në një familje që kujdesej për të.

Si fëmijë ai ka filluar të devijojë, duke bërë delikte të shumta të imta për të cilat dënohej kryesisht me kusht, deri sa në fund, në vitin 2009 ai u dënua me 5 vjet burg për plaçkitje. Me këtë edhe i erdhi fundi të drejtës së tij për qëndrim në Zvicër. As fakti se ai gjatë qëndrimit në burg u risocializua dhe madje u bë shembull për të tjerët, duke mbajtur edhe workshope para fëmijëve me prejardhje të huaj, nuk e ndihmoi: ai duhet të lëshojë së shpejti Zvicrën, përcjell albinfo.ch. E gjithë ajo çfarë e bën të shpresojë, është një vendim eventual i jashtëzakonshëm i autoriteteve: të gjitha mjetet juridike i kanë shterruar.

E gjithë kjo po ndodh për shkak se vite më parë reperi me prejardhje nga Kosova kishte kryer vepra penale si vjedhje, lojëra ilegale, dhunë e tjera. Për këto vepra ai e kishte vuajtur dënimin prej pesë vitesh. Pavarësisht burgut, shteti zviceran do ta largojë nga vendi ku ai u rrit. Besko kishte thënë se është penduar për atë çfarë ka bërë dhe ai së fundmi i ishte përkushtuar familjes, rolit si baba dhe muzikës. Përveç kësaj, ai ka qenë aktiv në shkolla edhe ka bashkëpunuar për të rinjtë në moshën e pubertetit, përcjell “albinfo.ch”.

Që prej lirimit të tij nga burgu në tetor të vitit 2014 Besko nuk është gjetur më fajtor. “Unë kisha një punë, jetoja një jetë normale familjare, bëja si gjithmonë muzik dhe punoja me të rinjtë”, thotë reperi. Kohëve të fundit reperët më të njohur në Zvicër si Skor, Gimma dhe Bligg përmes faqeve të tyre në rrjetet sociale janë shprehur kundër dëbimit të Beskos.

Besiani thotë se pranon që ka bërë shumë delikte dhe se e ka mbushur kupën mirëpo ai këmbëngul se secili që është lindur ose rritur në Zvicër duhet të trajtohet si zviceran, pra është e padrejtë të dëbohet, transmeton albinfo.ch. “Ju mund të më hiqni nga Cyrihu por nuk mundeni ta nxirrni Cyrihun nga unë”, thotë ai për 10vor10.

Në këtë link mund të shikoni insertin:

http://www.srf.ch/sendungen/10vor10