Lajme

10 ditë karantinë për të pavaksinuarit që udhëtojnë nga Zvicra në Gjermani

Gjermania fut Zvicrën në mesin e vendeve me rrezik të lartë. Të pavaksinuarit që udhëtojnë nga Zvicra në Gjermani duhet të qëndrojë në karantinë për dhjetë ditë

Duke filluar nga e diela (nesër, 5 dhjetor) qeveria gjermane do të fusë Zvicrën në mesin e vendeve/zonave me rrezik të lartë, transmeton albinfo.ch.

Siç ka bërë të ditur Instituti Robert Koch i Gjermanisë, ky vendim është marrë për shkak të numrit të lartë të të infektuarve me korona.

Por çfarë ndryshon në fakt pas këtij vendimi për ata që udhëtojnë nga Zvicra në Gjermani?

Kushdo që hyn në Gjermani nga një zonë me rrezik të lartë dhe nuk është plotësisht i vaksinuar e as i shëruar duhet të qëndrojë në karantinë për dhjetë ditë. Nga karantina mund të lirohet jo më parë se pas 5 ditësh nga hyrja në Gjermani, nëse testi i bërë i rezulton negativ.

Në këtë grup, krahas Zvicrës klasifikohen edhe Polonia, Lihtenshtajni, Jordania dhe Mauritiusi. Ndërkaq, Tajlanda, Uzbekistani, Shën Vincenti dhe Grenadinet në Karaibe do të hiqen nga lista e rrezikut.

Klasifikimi si zonë me rrezik të lartë shoqërohet automatikisht me një paralajmërim udhëtimi nga Zyra e Jashtme në Berlin e cila tërheq vërejtjen që të mos bëhen udhëtime të panevojshme turistike, përcjell albinfo.ch. Zyra në fjalë e bën më të lehtë për turistët anulimin e udhëtimeve që tashmë janë rezervuar pa pagesë. Por, thekson ajo, ky veprim nuk duhet të kuptohet si ndalim udhëtimi.