Integrimi

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës: Ku është dhe çfarë bën?

Avni Binaku, nënkryetar i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës flet rreth asaj se ku është KSHZ sot, rreth 5 vjet pas themelimit

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës është themeluar në maj të vitit 2011. Themelimi i tij kishte ngjallur interesim për faktin se iniciohej bashkërisht nga institucionet zvicerane dhe nga komuniteti shqiptar. Ai kishte për synim, veç tjerash, edhe funksionimin e vet në formë federate ose “çatie” për shoqatat dhe subjektet tjera ekzistuese. Sot, kur kanë kaluar pak më shumë se 5 vjet nga themelimi, ku është KSHZ në jetësimin e objektivave të veta? Lidhur me këtë për albinfo.ch flet Avni Binaku, nënkryetar i KSHZ.

Albinfo.ch:  Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës është themeluar rreth pesë vite më parë. Cilat kanë qenë fushat e veprimtarisë që ia ka vënë Kuvendi vetes me rastin e themelimit të tij? A mund të thuhet se janë realizuar apo janë në rrugë për t`u realizuar synimet nga koha e themelimit?

Avni Binaku: Për themelimin e këtij Kuvendi si “çati” kanë punuar shumë personalitete shqiptaro – zvicerane, ku qëllimi kryesor ka qenë, që interesat e komunitetit shqiptar në Zvicër të mbrohen në mënyrë të denjë. Ja vlen të theksohet se ideja ka rrjedh nga institucionet zvicerane, pasi që ato kanë parë nevojën e domosdoshme, që komuniteti shqiptar të ketë një adresë që i përfaqëson. Mbi bazën e statutit te aprovuar në mbledhjen e parë të themelimit te tij, në Kuvend janë të përfshirë të gjitha viset shqiptare dhe regjionet e Zvicrës.

Që nga themelimi i tij, KSHZ, në vazhdimësi ka dhënë një kontribut të çmuar në forma të ndryshme, e sidomos në kontekstin e imazhit të shqiptarëve dhe të të drejtave të tyre në Zvicër por edhe në shtetet e prejardhjes. Në fushën e drejtësisë kemi pasur me dhjetëra raste ku kemi punuar shumë, që rastet në fjalë të trajtohen në mënyrë jo diskriminuese. Si shembull kemi pasur rastin e ekstradimit te ushtarit te UÇK-së Shemsi Nuhiut, ne Serbi, kur ishte lansuar peticioni me 5.200 nënshkrime kundër ekstradimit të tij tek organet serbe. Peticioni ishte dorëzuar në Ministrinë e drejtësisë të Zvicrës. Përmes saj ne kemi kërkuar që pala zvicerane të përcjellë kushtet e paraburgimit dhe zhvillimin e procesit në gjykatë, gjë që efekti i tij pozitiv u tregua me vonë.

Gjithashtu KSHZ ka punuar në lidhje me temat siç janë: sigurimet shoqërore dhe kartoni i gjelbër. Kundër kësaj padrejtësie apo plaçkitjeje ne emrin e kartonit të gjelbër, KSHZ ka lansuar një peticion, ku bashkë me organizatat tjera në Zvicër është kundërshtuar fuqishëm kjo politikë diskriminuese karshi diasporës tonë.

Gjithashtu, KSHZ i është drejtuar instancave më të larta ndërkombëtare si Parlamenti Evropian dhe OKB, si për situatën në Maqedoni, Luginë të Preshevës e në Kosovë.

Gjithashtu, pjesë e objektivave tanë janë edhe fusha e kulturës dhe sportit. Në këtë kontekst kishim edhe rastin me serinë e ekspozitave „BESA“ që ishte lansuar nga shteti izraelit në lidhje me shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore. KSHZ, si anëtar i komitetit te kësaj iniciative, ka dhënë kontribute në të gjitha qytetet ku është mbajtur ekspozita.

Gjithashtu Kuvendi ka mbështetur në forma të ndryshme kyqjen e shqiptaro-zviceranëve në jetën politike në Zvicër, pa marrë parasysh në cilin subjekt.

Një pjesë të objektivave nga koha e themelimit mund të themi se i kemi arritur. Por, natyrisht, për të arritur aty ku ne synojmë, mbetet edhe shumë punë për tu bërë.

KSHZ, që nga themelimi, është dalluar nga subjektet tjera shqiptare në Zvicër me synimin për t`u bërë organizatë “çati” ose një lloj federate e cila në kuadrin e saj do të përfshinte shoqatat ose asociacionet tjera. Sa është punuar në këtë drejtim dhe a ka rezultate konkrete?

KSHZ, bashkë me një numër të madh të institucioneve tjera dhe të interesuarish tjerë, zviceranë e shqiptarë, janë pjesë e veprimtarive të shumta në Zvicër. Siç është e njohur, në vitet e fundit janë themeluar disa asociacione nga komuniteti shqiptar në Zvicër. Këto asociacione janë bërë fuqi ndërlidhëse. Ndër objektivat tona ka qenë që në fillim edhe kjo formë organizative. KSHZ ka dhënë mbështetje në këtë drejtim, për faktin se shumë anëtarë të kuvendit janë edhe pjesë të këtyre asociacioneve. Ne jemi duke bashkëpunuar konkretisht me organizatën LAPSH.

Tash është koha kur ky kontribut të fuqizohet edhe më tutje, duke u organizuar më mirë. Nga përvojat e vendeve të ndryshme është vërejtur se diasporat e organizuara në nivel të përgjithshëm kanë pasur mundësi më të mira për të shtuar përkrahjen dhe kontributin për vetveten në vendin ku jetojnë por edhe për vendlindjen, në sfera të ndryshme.

Po ashtu KSHZ ka pasur si objektiv formimin e grupeve ose sektorëve brenda vetes që do të merreshin me problematika të ndryshme. A janë formuar ato dhe nëse po, cilat janë arritjet e tyre?

Ne kemi kuadro të shumtë në kryesi të Kuvendit por edhe si anëtarë, që u takojnë profileve të ndryshme profesionale, e të cilët janë të inkuadruar në institucione të ndryshme dhe kanë mandate në jetën politike dhe shoqërore në Zvicër. Në fillim kemi pretenduar që do të kemi inkuadrim më të madh të bashkatdhetarëve ne nivelin kantonal dhe komunal, ku si qëllim ka qenë, që të formohen grupe punuese, për faktin se ata e njohin terrenin dhe i perceptojnë problemet e tyre më se miri. Ne, ndërkohë këtë strategji është dashur ta ndryshojmë, duke formuar grupe punuese brenda kryesisë, për çështje të caktuara, siç janë: grupi për çështje juridike, grupi për media,  grupi task forcë etj.

Një objektiv i rëndësishëm i KSHZ ka qenë që ai të shndërrohet në një adresë përmes të cilës autoritetet zvicerane do t`i drejtoheshin komunitetit shqiptar. Sa është arritur kjo?

Që nga themelimi i KSHZ, bashkëpunimi me institucionet shtetërore të Zvicrës, qoftë në nivelin nacional, qoftë në atë kantonal ka qenë në nivel të mirë. Ne kemi pasur komunikim të vazhdueshëm për tema të shumta me ministritë përkatëse të shtetit helvetik. Korrespondenca e tyre ka qenë shumë transparente dhe serioze edhe për çështje komplekse. Për shembull në lidhje me sigurimet shoqërore ne kemi marrë shpjegime shumë të hollësishme, se ku qëndrojnë problemet për mos realizimin e marrëveshjeve në mes Republikës së Kosovës dhe shtetit helvetik. Gjithashtu kemi kërkuar shpjegime për propagandën radikale dhe agresive të krahut te djathtë politik kundër shqiptarëve. KSHZ ftohet në debate qe kanë të bëjnë me politikat integruese, por edhe për t`iu bashkëngjitur iniciativave politike dhe qytetare qe janë në interes të të gjithë migrantëve në Zvicër. Gjithashtu nga shumë media zvicerane kontaktohemi dhe kërkohet një qëndrim në lidhje me komunitetin shqiptar.

Njëkohësisht KSHZ ka synuar që të bëhet adresë e besueshme edhe për vendet e prejardhjes (Kosove, Shqipëri, Maqedoni,…)  sa i përket komunitetit shqiptar të Zvicrës. A ka pasur zhvillime në këtë drejtim?

Ne kemi pasur shumë takime me ministritë e ndryshme të Kosovës të qeverisë së kaluar. Kurse me ministrin e diasporës së qeverisë aktuale të Kosovës kemi pasur po ashtu një takim. Bashkëpunimi me Ambasadën e Kosovës në Bernë konkretisht me ish Ambasadorin z. Naim Malaj ka qenë shumë në nivel, por edhe Ambasadën e Shqipërisë. Ne shpresojmë që qeveritë e shteteve tona të tregojnë angazhim më të madh për diasporën shqiptare, edhe kur ato kritikohen. Një fakt është, qe KSHZ është i hapur për të bashkëpunuar me te gjitha institucionet, qoftë në Kosovë, në Shqipëri dhe Maqedoni.

Konferencë e përbashkët me LAPSH-in

KSHZ, ka lansuar projekte në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat zvicerane për informim të prindërve, pasi që sistemi i arsimit në Zvicër është mjaft kompleks. Gjithashtu, synimi ynë është që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën shqipe që identiteti i tyre te ruhet sa më mirë. Në këtë kontekst, jemi duke bashkëpunuar me departamentet e arsimit në nivele kantonale, me LAPSH dhe institucionet shtetërore

të Kosovës dhe të Shqipërisë. Konkretisht, me 20.11.2016 do të organizojmë konferencën e radhës në bashkëpunim me LAPSH-in në lidhje me sistemimin e orëve plotësuese të gjuhës shqipe në shkollat zvicerane. Kjo temë shumë e rëndësishme, ka karakter nacional, dhe është me se e domosdoshme që të gjithë faktorët dhe sidomos qeveritë e shteteve tona të angazhohen maksimalisht, që të kemi një sistemim të mirë, siç e kanë edhe komunitetet tjera në Zvicër.

Organizimi i diasporës, më i suksesshëm me “çati”

Ndër objektivat tona ka qenë që në fillim edhe kjo formë organizative (organizatë “çati”). Nga përvojat e vendeve të ndryshme është vërejtur se diasporat e organizuara në nivel të përgjithshëm kanë pasur mundësi më të mira për të shtuar përkrahjen dhe kontributin për vetveten në vendin ku jetojnë por edhe për vendlindjen, në sfera të ndryshme.