Lajme

LAPSH i Cyrihut përshëndet unifikimin e mësimit shqip në Zvicër

"Pas një pune disamujore dhe sidomos një pune intensive të javëve të fundit, më në fund kemi finalen e kërkuar nga të gjithë: bërjen në një të dy subjekteve që ofrojnë mësim plotësues në Gjuhën dhe Kulturën e Atdheut (GJKA)"

Lidhja e marrëveshjes mbi bashkimin e dy subjekteve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër, LAPSH “Naim Frashëri” dhe “Shkolla Shqiptare në Zvicër”, ka bërë jehonë në të gjitha hallkat e mësimit të shqipes në Zvicër. Lidhur me këtë zhvillim pozitiv ka reaguar edhe LAPSH i Kantonit të Cyrihut. Në vazdhim, albinfo.ch sjell komunikatën e lëshuar me këtë rast.
“Pas një pune disamujore dhe sidomos një pune intensive të javëve të fundit, më në fund kemi finalen e kërkuar nga të gjithë: bërjen në një të dy subjekteve që ofrojnë mësim plotësues në Gjuhën dhe Kulturën e Atdheut (GJKA). Kësaj marrëveshjeje i parapriu së fundmi edhe një takim i djeshëm i Kryesisë së LAPSH «Naim Frashëri» për Kantonin e Cyrihut, nën drejtimin e kryetarit, z. Naser Ulaj- një ndër LAPSH-et më të mëdha dhe më të organizuara në tërë Zvicrën dhe shembull model se si punohet organizativisht dhe strukturalisht, në Würenlos, me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, zonjën Arbërie Nagavci”, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim u diskutuan, detajet e marrëveshjes, pritjet e palëve si dhe pritjet e vet Ministres dhe institucionit që ajo drejton. Si LAPSH «Naim Frashëri» i Kantonit të Cyrihut ne e falënderojmë Ministren Nagavci dhe stafin e saj për kohën e çmuar dhe mundësinë e dhënë për të shprehur edhe mendimet tona por edhe kontributin tonë si LAPSH-i më i madh kantonal, në lidhje me synimet e arritjes së kësaj marrëveshjeje, vazhdon konmunikata.
Pritjet tona janë që të evitohen të gjitha keqkuptimet në opinionin publik në lidhje me atë se kush dhe si ofron mbajtjen e mësimit plotësues në Gjuhën dhe Kulturën e Atdheut (GJKA), si nga Ambasadat respektive të vendeve tona, e po ashtu edhe nga institucionet respektive të vendeve tona. Ne dhe ministrja u zotuam të punojmë të koordinuar në dhënien e shërbimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Pas takimit mbi një orësh me Ministren Nagavci, një delegacion i LAPSH “Naim Frashëri” i prirë nga kryetari z. Naser Ulaj, për Kantonin e Cyrihut u takuan veçmas me Kryetarin e LAPSH-it «Naim Frashëri» për Konfederatën Helvetike z. Liburn Mehmetaj dhe Koordinatorin e ABC Shkolla Shqipe në Zvicër, z. Vaxhid Sejdiu. Ky takim që u kërkua nga drejtuesit e dy subjekteve në nivel të Konfederatës dhe kishte për qëllim harmonizimin e qëndrimeve pas arritjes së marrëveshjes.
Si në takimin me Ministren po ashtu edhe në këtë takim trepalësh u diskutuan detajet e marrëveshjes që pritet të nënshkruhet nga palët, pritjet e palëve dhe zotimet e tyre për një mbarëvajtje sa më të mirë të LAPSH-së së unifikuar në një Subjekt i cili e organizon mësimin plotësues në Gjuhën dhe Kulturën e Atdheut (GJKA) dhe që pas marrëveshjes do të mbaj emrin e subjektit i cili e organizon mësimin plotësues në gjuhën shqipe që nga vitet e 90-ta-pra Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë «Naim Frashëri» Zvicër, thuhet më tutje në komunikatë.
Si LAPSH i Cyrihut i falënderojmë përfaqësuesit e dy subjekteve për përpjekjet e tyre në drejtimin të për bashkimit të mësimit plotësues.
Pas harmonizimit të çështjeve, sot në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bern, nën moderimin e Ambasadorit të jashtëzakonshëm e fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Sami Ukelli u organizua Akti i nënshkrimit të marrëveshjes së për bashkimit të dy Subjekteve të cilat ofrojnë mësimin në Gjuhën dhe Kulturën e Atdheut (GJKA). E pranishme në Aktin e nënshkrimit ishte edhe vet Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, zonja Arbërie Nagavci, sikurse edhe Ambasadori i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, z. Mustafa Nano si dhe Ambasadori i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i Republikës së Maqedonisë së Veriut z. Rexhep Demiri.
Akti i Marrëveshjes u nënshkrua fillimisht nga përfaqësuesit e nivelit Konfederal, për LAPSH-in «Naim Frashëri» në Zvicër z. Liburn Mehmetaj, kryetar, kurse për ABC Shkolla Shqipe në Zvicër, z. Vaxhid Sejdiu, Koordinator.
Pastaj në mënyrë simbolike marrëveshjen e nënshkruan që të tre Ambasadorët e vendeve rrespektive, pra z. Sami Ukelli, z. Mustafa Nano si dhe z. Rexhep Demiri, në praninë e Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, zonjës Arbërie Nagavci.
Të pranishëm ishin po ashtu edhe përfaqësuesit e LAPSH-eve kantonale të kryesuara nga kryetarët dhe kryesitë kantonale sikurse edhe përfaqësuesit kantonal të ABC Shkolla Shqipe, të cilët po ashtu vunë firmat e tyre në Aktin e marrëveshjes në praninë e shumë të pranishmëve dhe mediave.
Tani e tutje subjekti quhet:
LAPSH-LIDHJA E ARSIMTARËVE DHE PRINDËRVE SHQIPTARË «NAIM FRASHËRI», ZVICËR
Çështjet teknike do mbarështohen ditëve në vijim për të harmonizuar mbarëvajtjen e punëve në LAPSH-et kantonale.
Ne Si LAPSH i Cyrihut jemi të përkushtuar të jemi konstruktiv dhe të reflektojmë stabilitet në këtë detyrë sa kombëtare aq edhe jetike për fëmijët tanë në mërgatë”, përfundon komunikata e LAPSH “Naim Frashëri” për Cyrih, nënshkruar nga Gëzim Kasumaj, nënkryetar dhe zyrtar për marrëdhënie me publikun dhe media.
(Fotot: Lulzim Hasi)