Tematike

LAPSH në Gjenevë prezanton rezultatet dhe pret mbështetje nga ministri

Buja: "Do të përpiqemi që mësimdhënia e gjuhës shqipe në mërgim të jetë kënaqësi për qytetarin e Kosovës e jo vetëm obligim kombëtar"

Më 8 qershor Agim Paçarizi, kryetar i LAPSH për Gjenevë, organizoi një takim pune në mes të kryesisë së LAPSH, mësuesve dhe ministrit të arsimit, Ramë Buja. Në takim ishin edhe Sejdi Qerimaj, përfaqësues i misionit diplomatik të Shqipërisë pranë OKB, Naim Malaj, ambasador i Kosovës në Bernë, Benjamin Nikoliqi nga Konsullata e Kosovës në Gjenevë dhe Aziz Pollozhani, ambasador i Maqedonisë në OKB.

 

Duke prezantuar LAPSH-në e Gjenevës, A. Paçarizi theksoi se në këtë kanton, sidomos nga viti 2000 e këndej është bërë punë mjaft e përkushtuar. “Kantoni i Gjenevës në krahasim me kantonet tjera të Zvicrës ka një aktivitet më të veçuar, nisur nga fakti se kemi gjetur një përkrahje të mirë nga institucionet kantonale, në radhë të parë përkrahje financiare. Nga viti 2000 deri më 2010 nga kantoni i Gjenevës ne kemi marrë ndihma financiare rreth 500 mijë franga. Vetëm nga ‘Loteri romande’ ne kemi marrë ndihma 209 mijë franga”, tha z. Paçarizi.

 

Më tutje ai ka thënë se numri i nxënësve është rritur nga 150 (menjëherë pas luftës) në 350 sa është aktualisht. Buxheti vjetor sillet nga 60-100 mijë franga, ku vetëm puna e mësimdhënies paguhet, ndërsa anëtarët e kryesisë angazhimin e bëjnë falas.

 

Ai shtoi se këtë vit shkollor LAPSH ka një përkrahje financiare edhe më të madhe, falë angazhimit të kryesisë që ka bërë një prezantim të mirë të punës.

 

LAPSH-së i premtohen 65% e mjeteve që jepen për arsimin e 140 komuniteteve!

 

 

 Është për tu theksuar, vazhdoi ai, se duke u marrë shembull puna e LAPSH-së në këtë kanton edhe një grup i deputetëve në Parlamentin e Gjenevës ka kërkuar një linjë të re buxhetore për Zyrën për integrimin e të huajve që ka në fokus gjuhët e origjinës nga vijnë të huajt e që në Gjenevë konsiderohet të fliten më shumë se 140 gjuhë. LAPSH-së këtu i është premtuar 65 % e kësaj shume të kërkuar!

 

“Falë kësaj ndihme ne në kantonin e Gjenevës i kemi liruar nga obligimet financiare të gjithë prindërit, fëmijët e të cilëve i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe”, ka nënvizuar Paçarizi, duke shfaqur shpresën me këtë rast se kjo “kartvizitë” do të jetë e dobishme për ministrin Buja në takimin që ai do ta mbante me homologun e tij Z. Charles Beer. Ai po ashtu u shpreh optimist se edhe institucionet e Kosovës do të qëndrojnë tash e tutje më pranë arsimit shqip në diasporë.

 

Në vazhdim ministri Buja, ka shprehur admirimin e tij për punën e LAPSH-në në misionin që ka për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe tek gjeneratat e reja në Zvicër. Z. Buja vlerëson punën e vështirë të mësuesve dhe zotohet se brenda mundësive institucionale që ka sot Kosova do të veprohet më konkretisht për ndihmë LAPSH-së. “Do të mundohemi që në forma sa më të përshtatshme të ju ndihmojmë që mësimdhënia e gjuhës shqipe këtu në mërgim të jetë një kënaqësi për qytetarin e Kosovës e jo vetëm një obligim kombëtar”.

 

Në Gjenevë mësimin shqip do të duhej ta ndiqnin rreth 950 nxënës

 

Ministri Buja u zotua po ashtu se do të bëjë përpjekje që të shfrytëzojë ndikimin e tij që mediet e Kosovës të bëjnë më shumë në sensibilizimin e mërgatës shqiptare që fëmijët në mërgim të ndjekin më masivisht mësimin në gjuhën shqipe. Të theksojmë se në Gjenevë, sipas Departamentit të Arsimit ka përafërsisht 950 nxënës shqiptarë të moshës nga 7 deri 12 vjeçare!

 

Në fjalën e tij më pas Z. Qerimaj nga misioni i Shqipërisë theksoi dëshirën që ka për të qëndruar pranë “shtëpisë së dijes” – shkollës. Z. Qerimaj prej vitesh ka ndjekur aktivitetin e LAPSH-së për të cilin ka vetëm fjalë të mira.

 

Më pragmatik në fjalën e tij tregohet Z. Pollozhani, i cili merr edhe përgjegjësitë që i takojnë atij dhe kërkon edhe nga shteti i Kosovës dhe i Shqipërisë që të punohet në unifikimin e një Abetareje. “Një program i përbashkët i këtyre tri shteteve do t’i jepte emër identitetit tonë kombëtar”. Ai më pas theksoi se shteti i Maqedonisë do të bëjë përpjekje që të marrë në përgjegjësitë e tij qytetarët e vet në Zvicër, që do të ishte një formë inkurajuese nga ana financiare edhe për funksionimin e LAPSH-së.

 

Fjalët e ministrit Buja, të Z. Qerimaj dhe Z. Pollozhani inkurajuan mësueset e LAPSH-së të cilat shprehen një falënderim të veçantë në emër të nxënësve dhe prindërve shqiptarë për kujdesin dhe mbështetjen që tani ato gjejnë nga përfaqësuesit zyrtarë të arsimit.

 

Po këtë ditë ministri i arsimit të Gjenevës Charles Beer ka takuar homologun e tij nga Kosova, ministrin Buja me shoqëruesit dhe kryetarin e LAPSH-së për Gjenevë.

 

Në prezantimin e punës së departamentit të tij z. Beer theksoi se ai bashkëpunon në dy drejtime rreth mbarëvajtjes së mësimit të gjuhëve të origjinës; me përfaqësitë diplomatike të vendeve përkatëse dhe me shoqatat e ndryshme siç është në këtë rast edhe LAPSH në Gjenevë.

 

“Tani, pas përkrahjes që keni filluar ta jipni edhe ju në rrugë institucionale me dërgimin e teksteve falas dhe me takimin e sotëm, besoj se do të ndihmojmë bashkarisht edhe më shumë mbarëvajtjën e punës së LAPSH këtu në Gjenevë, pra ne si instucione t’a përkrahim mësimin e gjuhës së origjinës, por duke mos harruar se çelësi kryesor i kësaj është vetë LAPSH-ja”, ka thënë Beer.

Ministri Buja e njoftoi shkurtimisht Z. Beer edhe për arsimin në Kosovë, duke folur për gjendjen momentale që kanë sot universitetet, numrin e studentëve të tyre, numrin e nxënësëve të shkollave të niveleve të ndryshme, profesorëve etj. dhe në fund e ftoi Z. Buja ftoi Z. Beer për një vizitë Kosovë.