Kosova

Lebet: Është koha kur Kosova duhet t’i kryejë obligimet e saj

Sipas tij, Kosova mund ta ndihmojë veten në sundimin e rendit dhe ligjit, ekonomi, stabilitet social, reformat në sistemin e arsimit, e në veçanti në përmirësimin e imazhit të saj

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ka thënë se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në sfidat e saj në të ardhmen. Në takimin që ka pasur me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ambasadori zviceran ka theksuar se Kosova së pari duhet të ndihmojë vetveten.

“Është koha kur Kosova duhet t’i kryejë obligimet e saj sa i përket sundimit të rëndit dhe të ligjit, në veçanti të përmbushë obligimet e dala nga Komisioni Evropian, me qëllim të përfundimit të izolimit të vendit si pasojë e mosliberalizimit të vizave”, deklaroi Lebet. Sipas tij, Kosova mund ta ndihmojë veten në sundimin e rendit dhe ligjit, ekonomi, stabilitet social, reformat në sistemin e arsimit, e në veçanti në përmirësimin e imazhit të saj.

Ndërsa Gërxhaliu shprehu falënderim tek ambasadori Lebet për mbështetjen që shteti zviceran i jep Kosovës në forma të ndryshme, por me theks të veçantë për trajtimin e mirë të diasporës shqiptare në Zvicër.