Futboll

Lenjani: Në Zvicër ndihem shumë mirë, kam familjen dhe shokët

“Në Zvicër ka rreth 20-25 futbollistë me origjinë shqiptare. Para ndeshjeve, bëjmë shaka, dhe shkruajmë, me njëri-tjetrin. Ngacmohemi se kush do të fitojë”, theksoi mbrojtësi kuqezi

Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Ermir Lenjani, në një rrëfim për emisionin “Mysafiri i Mëngjesit” në “RTK”, tregon për aventurën e tij tek Sioni në Zvicër, si edhe eksperiencën me trajnerin Panucci tashmë në krye të Shqipërisë.

“Në fillim patëm një trajner zviceran te Sioni, nuk patëm rezultate. Tani presidenti solli një trajner turk, dhe na ka ecur shumë mirë. Edhe mua personalisht, kam ndërruar edhe pozicionin, jam sulmues tani. Unë e kam në mbrojtje dhe mesfushë, pozicionin natyral.

Ne nuk po shënonim gola, krijonim pak aksione. Unë isha më i shpejti në testet e skuadrës, dhe trajneri më tha: “Je sulmuesi i dytë që tani, me Pajtim Kasamin”. Tani, unë po jap akoma më shumë asistime”, është shprehur Lenjani, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, ai nuk është mësuar shumë në këtë pozicion. “Shumë herë gjatë ndeshjes më bie në mendje të kthehem mbrapa, dhe kthehesha pa vetëdije, ndërsa trajneri më thoshte rri përpara ku të kam thënë. Në fillim e pata pak të vështirë, por tani jam ambientuar me pozicionin e ri”, shton tutje Lenjani.

“Në Zvicër ka rreth 20-25 futbollistë me origjinë shqiptare. Para ndeshjeve, bëjmë shaka, dhe shkruajmë, me njëri-tjetrin. Ngacmohemi se kush do të fitojë”, theksoi mbrojtësi kuqezi.

Ai foli edhe për jetën në Zvicër. “Me rikthimin në Zvicër jam më rehat. Kam familjen dhe shokët aty. Në Francë ishte më e vështirë, sepse shumë raste isha vetëm. Kurse në Zvicër, i njoh të gjithë, jam shumë rehat”.

Në fund flet edhe për Kombëtaren shqiptare. “Unë i bëra 5 vite te Shqipëria. Tani në ndeshjet e fundit, nuk kemi pasur shumë rezultate të mira, si me De Biasin. Panucci ka filozofinë e tij, si çdo trajner tjetër. Me Panuccin kam luajtur shumë pak, nuk më ka dhënë shumë shanse, dhe nuk e di tamam a mund të luaj edhe këtu në sulm. Trajneri ka thirrur shumë të rinj, më shumë se 50. Tani, duhet të pres shansin tim.

Unë kur kam filluar si futbollist, ishte vetëm kombëtarja kuqezi, dhe të gjithë kishim ëndërr të luanim aty. Tani, edhe pasi është krijuar ekipi i Kosovës, ne e ndjejmë veten të atij ekipi, dhe menjëherë interesohemi si kanë dalë ndeshjet”, përfundoi Ermir Lenjani.