Lajme

Lisabona shpallet qyteti më shumëngjyrësh në botë, sipas një analize evropiane

Një vlerësim nga kompania JustCover ka analizuar gati 80 qytete dhe ka renditur 10 destinacionet më “të ngjyrosura” në botë – Portugalia dominon listën

Një qytet evropian është shpallur si më shumëngjyrëshi në botë, sipas një analize të fundit që ka vlerësuar destinacionet më të njohura turistike për nga laramania e tyre vizuale. Në krye të listës është renditur Lisabona, një nga destinacionet më të preferuara edhe për turistët zviceranë, përcjell albinfo.ch.

Sipas vlerësimit të realizuar nga JustCover, ekspertë irlandezë të sigurimeve të udhëtimit kanë analizuar fotografi nga afro 80 qytete të njohura dhe shumëngjyrëshe në botë. Me ndihmën e një mjeti digjital është matur paleta e ngjyrave në secilën fotografi dhe është llogaritur numri i nuancave të ndryshme të pranishme.

Rezultatet nxorën një renditje të 10 qyteteve më shumëngjyrëshe, ku Portugalia përfaqësohet dy herë në top 3.

Top 10 qytetet më shumëngjyrëshe në botë:

10. Medellín, Kolumbi – rreth 1.7 milion ngjyra
Medellín është i njohur për klimën e këndshme gjatë gjithë vitit, arkitekturën moderne, tregjet e gjalla dhe lagjet me atmosferë turistike. Zona Comuna 13, dikur një nga më të rrezikshmet, sot tërheq vizitorë me rrugicat e saj plot ngjyra.

9. New Orleans, SHBA – rreth 1.8 milion ngjyra
Qyteti njihet sidomos për French Quarter, ku shtëpitë shumëngjyrëshe me ballkone prej hekuri dhe bimë dekorative krijojnë një pamje të veçantë.

8. Hanoi, Vietnam – rreth 1.8 milion ngjyra
Kryeqyteti vietnamez është plot jetë dhe gjallëri, veçanërisht në qytetin e vjetër ku rrugët e ngushta, dyqanet, kuzhina rrugore dhe tabelat e ndritshme krijojnë një atmosferë unike.

7. Havana, Kubë – rreth 1.9 milion ngjyra
Përveç kulturës së njohur të purove dhe rumit, Havana ofron arkitekturë historike dhe fasada të gjalla shumëngjyrëshe, ku shpesh kalojnë edhe vetura klasike.

6. Guanajuato, Meksikë – rreth 1.9 milion ngjyra
Qyteti i Meksikës Qendrore dallohet për shtëpitë pastel që mbulojnë kodrat dhe pamjet mbresëlënëse nga pikat panoramike.

5. Rio de Janeiro, Brazil – rreth 2.3 milion ngjyra
Rio tërheq vëmendje me Copacabanën, statujën e Krishtit dhe malin Sugarloaf. Një nga pikat më shumëngjyrëshe janë shkallët Selarón, atraksion shumë i fotografuar.

4. Cartagena, Kolumbi – rreth 2.4 milion ngjyra
Qyteti kolonial shquhet për shtëpitë e ngjyrosura, ballkonet me lule dhe ndërtesat historike që i japin gjallëri atmosferës së së kaluarës.

3. Porto, Portugali – rreth 2.4 milion ngjyra
Porto njihet për urat madhështore dhe verën port. Lagjja Ribeira, me fasadat e vjetra dhe pllakat tradicionale azulejo, është ndër zonat më të bukura të qytetit.

2. Kuala Lumpur, Malajzi – rreth 2.5 milion ngjyra
Kryeqyteti malajzian impresionon me tempuj të ndritshëm, fasada të dekoruara dhe ndërtesa moderne që ndriçojnë natën. Shpellat Batu me shkallët shumëngjyrëshe janë një nga pikat më të vizituara.

1. Lisabonë, Portugali – mbi 2.6 milion ngjyra
Lisabona renditet e para falë shtëpive pastel, fasadave të ndritshme dhe pllakave artistike azulejo. Pamjes i shtohen edhe tramvajet ikonike të verdha që lëvizin në rrugët me kalldrëm të qytetit të vjetër.

Ky vlerësim e vendos Portugalinë si një nga destinacionet më tërheqëse për turistët që kërkojnë vende me arkitekturë të gjallë dhe atmosferë plot ngjyra./Albinfo.ch

 

 

Pixabay