Futboll

Lista kuqezi, ftohen disa futbollistë nga Zvicra

Është ftuar Nedim Bajrami për herë të parë, kurse pritet të debutojë edhe Florian Kamberi. Gjithashtu është rikthyer Arlind Ajeti

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edy Reja, ka bërë publike listën me 28 futbollistët që ka ftuar t’i përgjigjen grumbullimit për tre ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës Katar 2022.

Për herë të parë është ftuar Nedim Bajrami, i cili ka luajtur për Zvicrën 21. Bajrami në fund ka zgjedhur ngjyrat kuqezi, përcjell albinfo.ch.

Gjithashtu është ftuar edhe Florian Kamberi, i cili pritet të debutojë, pasi ishte ftuar, por për shkaqe të ndryshme nuk kishte mundur të grumbullohej më parë.

“Ka disa emra të rinj, për shembull Nedim Bajrami, i cili po paraqitet mjaft mirë te Empoli dhe për herë të parë i bashkohet grupit. Me të i kemi nisur kontaktet prej një viti dhe shpresoj të jetë një vlerë e shtuar për Shqipërinë. Kemi thirrur gjithashtu edhe Mario Mitajn, i cili po spikat te AEK-u në kampionatin grek dhe e kemi marrë të ambientohet, pasi është ende shumë i ri dhe e shohim si pjesë të rëndësishme për të ardhmen. Më pas kemi Çokajn, Kallakun, të gjithë lojtarë të ekipit Kombëtar U-21 dhe gjithashtu Kamberi, të cilin nuk e kemi patur në dispozicion më parë për arsye të ndryshme, por mendoj se ka ardhur momenti i duhur që më në fund mund ta shohim në aksion me ne”, u shpreh trajneri.

Bekim Balaj dhe Armando Sadiku janë dy nga emrat e mëdhenj të kuqezinjve, të lënë jashtë këtij grumbullimi, por është rikthyer pas disa kohësh Arlind Ajeti, ndërsa Reja shpjegon edhe arsyet e zgjedhjeve të tij.

“Ajeti po bën mjaft mirë në klubin e tij në Itali, ku po luan titullar dhe është në formë optimale, ndaj e kemi thirrur për të të zëvendësuar Dermakun, që ka qenë i dëmtuar prej muajsh. Më vjen keq që nuk kam thirrur lojtarë si Bekim Balaj, që kanë dhënë shumë për skuadrën, por më është dashur të krijoj hapësira për më të rinjtë, që po luajnë rregullisht. Kemi grumbulluar vetëm 28 lojtarë, lista jonë prioritare është me 38-40 futbollistë, që i kemi vazhdimisht në vëmendje”, tha Reja.

Rrugëtimi i kuqezinjve në këto eliminatore do të nisë nga Barcelona, një qytet shumë afër gjeografikisht me Andorrën, aty ku kuqezinjtë do të bëjnë edhe performancën e parë zyrtare më 25 mars, teksa vetëm tre ditë më vonë do të përballen me Anglinë në “Air Albania” e më pas do të luajnë sërish në transfertë, këtë herë ndaj San Marinos në 31 mars.