Futboll

Lorik Cana tregon si nuk u transferua në Arsenal, pasi s’kishte vizë

“Kur nuk ma dhanë vizën ishte shumë e rëndë. Sikur të mbyllet një derë”, është shprehur Lorik Cana

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana ishte i ftuar special në emisionin e “Mos i fol babgjyshit” në “Ora News”.

Në prononcimin e tij Cana tregoi që mund të ishte pjesë e Arsenalit nëse do të kishte marr vizën dhe në fund flet dhe për miqësinë e tij më një nga yjet e futbollit botëror si Ronaldinho, përcjell albinfo.ch.

“Bëmë një turne në Zvicër dhe mes këtyre skuadrash ishte dhe Arsenali, PSG-ja dhe disa skuadra të tjera. Më erdhi ftesa nga Arsenali për të bërë një provë, konktretisht nga Arsene Wenger. Isha akoma 16-vjeç dhe më kujtohet që u bëmë të gjithë gati. Ishte një mundësi e artë. Shkuam drejt ambasadës për të marrë vizën. E shikoja si mundësinë e fundit për të pasur një karrierë futbolli, sepse kishim marrë shkresën që do të riktheheshim në Kosovë. Kur nuk ma dhanë vizën ishte shumë e rëndë. Sikur të mbyllet një derë”, është shprehur Lorik Cana.

“Unë në moshën 18-vjeçare kam filluar të stërvitem me ekipin e parë të PSG-së. Në atë kohë Parisi kishte yje botërore. Një nga këta ishte dhe Ronaldinho. Sapo kishte fituar Kampionatin Botëror. Më kujtohet herën e parë, kur shkova në stërvitje, i tregova dhe emrin tim. Nuk e mbajti mend dhe më thërriste Sedrik. Më vonë, e kuptova që kisha fituar besimin e tyre, kur Ronaldinho filloi të ma thërriste saktë emrin tim. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme”, u shpreh Cana.