Kosova

Lukas Mandl shpallet “Doctor Honoris Causa” në Kosovë

Eurodeputeti Lukas Mandl do të nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti publik i Gjilanit, “Kadri Zeka”.

Ceremonia është paraparë të mbahet të premten në orën  15:00 në Teatrin Gjilanit.

Titulli i nderit i jepet me motivacionin “për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore, në mbështetje dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, në rajon dhe me gjerë”.

Gjithashtu, Mandl nderohet edhe për kontribut në proceset shtetformuese të Republikës së Kosovës, për kontribut në avokimin e kauzës së Republikës së Kosovës në Parlamentin Evropian, transmeton rtk përcjell albinfo.ch.

Në arsyetim shkruan gjithashtu që Mandl nderohet edhe për kontributin e tij në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, në përgjithësi, për mbështetje të pakursyer dhe avokim për njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, për përpjekjet e vazhdueshme si raportues për Republikën e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe në Partinë Popullore Evropiane (EPP), për kontribut në themelimin e Shoqatës se Miqësisë Austriako-Kosovare dhe për kontribut në fushën e kulturës e të medias për përhapjen e të vërtetës së Kosovës.

“Vendi ynë është me fat që ka miq të tillë, ndërsa Universiteti Publik “Kadri Zeka” është i nderuar dhe krenar që i jep çmimin më të lartë personaliteteve si z. Lukas Mandl”, shkruan në njoftim.