Kosova

Lul Raka: Bashkatdhetarët mund të udhëtojnë për në Kosovë

Sipas tij, shumë shpejt mund të vizitoni Kosovën

A do të mund të udhëtojnë për në Kosovë, këtë verë, bashkatdhetarët tanë, pas pandemisë COVID-19, është një nga pyetjet që po e bëjmë të gjithë në këto ditë. Emisioni “Rrëfim suksesi” ka realizuar një storie, në të cilën flasin për këtë temë ekspertë shëndetësorë, ekonomikë dhe vetë bashkatdhetarët.

Mikrobiologu Lul Raka në këtë emision thotë se bashkatdhetarët shumë shpejt do të mund të udhëtojnë për te familjet e tyre në Kosovë.

Madje, siç shkruan Reporteri.net, ai shprehet i lumtur për një gjë të tillë, pasi sipas tij, kjo do të ndihmojë familjet e tyre në Kosovë si në aspektin psikologjik, ashtu siç edhe në aspektin financiar.

“Unë besoj se shumë shpejt bashkatdhetarët do të jenë në gjendje të udhëtojnë dhe ardhja e tyre gjithsesi do të jetë një faktor ndihmues edhe psikologjik, edhe financiar. Prandaj u dëshiroj mirëseardhje dhe uroj që sa më shpejt të krijohen rrethanat që të vijnë të sigurt dhe të kënaqen me familjaret e tyre në Kosovë”, thotë Raka.

Megjithatë, duke mos caktuar një datë se kur ai parasheh të ndodhin këto lëvizje, Raka shpjegon faktorët që varen për një gjë të tillë.

“Kjo varet prej disa faktorëve. Faktori i parë është situata epidemiologjike në vendin ku jetojnë, d.m.th., si do të jetë evoluimi i situatës së shëndetit publik. Shumë shtete në Europë kanë bërë lehtësim të masave, edhe në këtë kontekst ka qenë edhe hapja e kufijve, sidomos me vendet që kanë pasqyrë të përafërt me situatën epidemiologjike në Kosovë”, ka thënë Lul Raka. “Këtu duhet pasur parasysh disa dallime që i kanë shtetet e ndryshme të Europës, pasi shpesh nuk përdorin qasje të njëjtë në diagnozë. Prandaj disa shtete të Evropës situata është e ndryshme, ta zëmë, Suedia, disa të tjera kanë bërë kufizime afatgjate deri në fillim të shtatorit, me sa e di unë”, deklaron mikrobiologu kosovar.