Kosova
“Ma kthe dritën”, thirrje për drejtësi dhe dinjitet për të mbijetuarit, në Kuvend
Në qendër të Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës ishte thirrja për të thyer heshtjen dhe për të njohur dinjitetin e të mbijetuarve
Me moton “Ma kthe dritën”, Kuvendi i Kosovës shënoi Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës, duke e kthyer hapësirën institucionale në një vend kujtese, reflektimi dhe zotimi për drejtësi. Në qendër të kësaj dite ishte thirrja për të thyer heshtjen dhe për të njohur dinjitetin e të mbijetuarve, një mesazh që u artikulua fuqishëm nga drejtoresha e Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, e cila theksoi se drejtësia dhe njohja për këtë kategori nuk duhet të kenë afat.
“Sot nderojmë të gjitha gratë dhe vajzat, por edhe burrat dhe djemtë që kanë përjetuar këtë krim dhe që, pa vullnetin e tyre, u bënë pjesë e një prej plagëve më të rënda të luftës… Sepse trauma nuk ka afat. As drejtësia dhe njohja nuk duhet të kenë afat. Kjo nuk është privilegj – është një e drejtë themelore.”
Me këtë mesazh, drejtoresha e Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, e vendosi në qendër dinjitetin dhe përgjegjësinë institucionale në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës.
Rushiti theksoi se simbolika e qiririt, e punuar nga duart e grave dhe e shoqëruar me lulen e anemonës, nuk është vetëm një akt përkujtimi, por krijon një hapësirë të sigurt ku zërat e të mbijetuarve dëgjohen edhe në institucionet më të larta. Ajo nënvizoi se kjo hapësirë ka ndihmuar në thyerjen e tabuve të kahershme, përfshirë edhe realitetin e heshtur për vite me radhë: dhunën seksuale ndaj burrave dhe djemve gjatë luftës.
Duke sjellë përvojën e drejtpërdrejtë, Rushiti vuri në pah se edhe 27 vjet pas luftës vazhdojnë të paraqiten raste të reja – nga persona në moshë të shtyrë deri te ata që vetëm tani po gjejnë guximin të kërkojnë njohje dhe trajtim. Ajo theksoi se përtej dhimbjes është dëshmuar edhe forca dhe guximi i të mbijetuarve për të kërkuar drejtësi dhe për të ndarë përvojën e tyre.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka punuar për më shumë se dy dekada në rehabilitimin, dokumentimin dhe zbardhjen e këtyre krimeve, duke qenë një nga aktorët kyç në ndryshimin e qasjes shoqërore dhe institucionale ndaj kësaj plage.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe njëkohësisht kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, theksoi se dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë ishte pjesë e një strategjie të organizuar shtetërore për shkatërrimin e strukturës shoqërore. Ajo bëri të ditur se aktualisht janë në proces 12 aktakuza për raste të dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa vetëm një vendim është i formës së prerë dhe dy të tjera janë në pritje.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh se, ndonëse ka rritje të gjykimeve dhe dënimeve për krimet e luftës, ato mbeten të pamjaftueshme në raport me përmasat e krimeve të kryera.
Në emër të të mbijetuarve, Vasfije Krasniqi theksoi se për vite të tëra stigma dhe mungesa e mbështetjes kanë mbajtur shumë histori në heshtje, por se sot Kuvendi po shndërrohet në një hapësirë ku kjo heshtje po thyhet dhe solidariteti po merr formë konkrete.
Në këtë ditë, mesazhe mbështetjeje erdhën edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, u shpreh e përulur nga forca e të mbijetuarve dhe e nderuar që qëndroi pranë tyre në Kuvend. “Ndërsa pajtimi është kyç, historia dhe të mbijetuarit nuk duhet të harrohen,” theksoi ajo.
Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, riafirmoi solidaritetin e Mbretërisë së Bashkuar me të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, duke theksuar mbështetjen për njohjen e statusit dhe qasjen në drejtësi dhe shërbime.
“Trauma nuk ka afat dhe as procesi i shërimit apo i llogaridhënies nuk duhet të ketë kufizim kohor,” u shpreh ai.
14 prilli në Kosovë shënon Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës, një kujtesë se drejtësia, njohja dhe dinjiteti i tyre mbeten përgjegjësi e përhershme institucionale dhe shoqërore.
E-Diaspora
-
“Mëngjesi i Vëllazërimit” në Samitin e Diasporës, Hoxha: Trashëgimia shpirtërore është themeli i unitetit kombëtar Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vlerësoi harmoninë fetare si një nga shtyllat... -
Hoxha takon Këshillin Koordinues të Diasporës, fokus bashkëpunimi për “Shqipëria 2030” -
Sot dita e tretë e Samitit të Diasporës, ja çfarë përfshin agjenda -
“Zërat e Diasporës” panel i veçantë në kuadër të Samitit të Diasporës Shqiptare -
Aktorja shqiptare Lyra Xhoci pjesë e një seriali në Netflix



















