Lajme

Makinat elektrike sfidojnë ato me benzinë dhe naftë

Është bërë e ditur se sipas studimit vjetor të bërë nga kompania ndërkombëtare e automjeteve LeasePlan, makinat elektrike janë më të lira për t’u zotëruar se sa modelet e makinave me benzinë dhe naftë.

Studimi është realizuar në 18 shtete të Evropës dhe janë marrë për bazë kosto e karburantit, amortizimit, taksat, sigurimi dhe mirëmbajtja.

Po ashtu, nga mesatarja e nxjerrë nga këto të dhëna, është zbuluar se një automjet i zakonshëm elektrik me madhësi të mesme, kushton rreth 918 euro në muaj për t’u zotëruar, ndërsa një model ekuivalent me benzinë apo naftë ka kosto prej 1,063euro në muaj. Del në pah një ndryshim prej të paktën 145 euro në muaj.

Shefi ekzekutiv i LeasePlan, Tex Gunning, tha se mbështetja për makinat elektrike, është investimi më i mirë që qeveritë mund të bëjnë:

“Makinat elektrike janë më të mira për shoferët, për ajrin dhe një nga mënyrat më efektive për të luftuar ndryshimin e klimës”.

Qeveria e Britanisë është nga të parat që ka konfirmuar vitin e kaluar se do të bëjë një investim në total prej 400 milionë paund, për të ndihmuar në forcimin e rrjetit publik të karikimit për makinat elektrike. Këtë javë, kjo qeveri ka bërë të ditura planet për pikat e ngarkimit publik, me detaje për çmimet dhe planet për instalimin e të paktën 3,000 karikuesve të shpejtë në vend, brenda pesë vjetëve të ardhshme.