Maqedonia

Maqedoni: Arrestohen 9 policë, të cilët dyshohet se lëshuan pasaporta false

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar nëntë zyrtarë policorë, të cilët dyshohet se kanë pajisur me pasaporta false pjesëtarët e një grupi kriminal, të përfshirë në kontrabandë me drogë dhe aktivitete të tjera të paligjshme.

Të arrestuarit të martën kanë dalë para Gjykatës Penale, ndërkohë që hetimet janë zgjeruar për kapjen edhe autorëve të grupit kriminal.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka thënë se zyrtarë kanë lëshuar pasaportat, duke abuzuar me identitetin e qytetarëve që nuk kishin pasaportë maqedonase deri në atë moment.

Sipas tij, aksioni kundër këtij grupi ka zgjatur një kohë të gjatë dhe është kryer në bashkëpunim me zyrën rajonale për hetime pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shkup dhe INTERPOL-it.

Me pasaporta janë pajisur 215 persona, 214 prej të cilëve janë shtetas të huaj. Në mesin e atyre që kanë marrë pasaporta maqedonase janë edhe anëtarë të grupeve kriminale ndërkombëtare dhe karteleve të drogës, të cilët për një pasaportë kanë paguar deri më 20 mijë euro, shkruan Rel, përcjell Albinfo.ch.

Ndër ta është janë edhe Sedat Peker, një shtetas turk, i cili kishte edhe shtetësi të Kosovës si dhe Jovan Vukotiq, shtetas i Malit të Zi. Emra të tjerë nuk janë publikuar nga autoritetet, për shkak të vazhdimit të operacionit.

Për partinë maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE, ky rast tregon qartë se grupet kriminale nga rajoni janë në bashkëpunim të ngushtë me strukturat më të larta të Maqedonisë së Veriut.

Përderisa ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka theksuar se pikërisht lideri i opozitës maqedonase është ai që ka pasur kontakte me njërin nga anëtarët e këtij grupi.

“I kam kërkuar dhe Prokurorisë të hetojë të gjitha këto aktivitete. Nëse dilni në publik si parti e opozitës me ndonjë akuzë, zbardhje të dokumenteve, provave, etj. dhe këtë nuk e bëni tek organi kompetent, që është Prokuroria Publike, kjo hap shumë dilema, të cilat i kam dhe unë. Kjo është arsyeja pse sistemi duhet të funksionojë, prandaj thashë që duhet të jepet një përgjigje. Megjithatë, kur kemi parasysh se një nga të arrestuarit është në kontakt të ngushtë, të drejtpërdrejtë dhe të përditshëm me udhëheqësin e opozitës, atëherë lind një dilemë serioze se pse u bë kjo”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.