Zhvillim

Krystyna Marty Lang: Kosova është njëri ndër vendet kyq për Zvicrën

Ambasadorja flet për procedurën e dhënies së vizave nga Ambasada e Zvicrës për ndërprerjen e pensioneve etj.

Mbështetja për Kosovën gjatë viteve të fundit ka ndryshuar destinimin. Buxheti i vitit 2015 për bashkëpunim i DEZA-s dhe SECO-s në Kosovë është mbi 25 milionë franga, që paraqet një rritje në krahasim me vitet e fundit, thotë veç tjerash ne një intervistë eksluzive për albinfo.ch Krystyna Marty Lang, ambasadore e Zvicrës në Kosovë. Ajo flet po ashtu edhe për procedurën e dhënies së vizave nga Ambasada e Zvicrës, për klimën e investimeve në Kosovë, ndërprerjen e pensioneve dhe për shumëçka tjetër.

Albinfo.ch: Sa është ndihma zvicerane në Kosovë që nga paslufta e këndej, nëpërmjet programeve të veçanta dhe në cilët sektorë është orientuar më shumë kjo ndihmë?

Krystyna Marty Lang: Mbështetja e Zvicrës ka ndryshuar destinimin gjatë viteve të fundit. Menjëherë pas luftës ajo përqendrohej para së gjithash në segmentin humanitar, në rindërtim dhe në ndihmat për kthim të refugjatëve. Nga viti 2000, këtyre iu shtuan edhe masat për sigurimin e ekzistencës dhe për promovimin e kulturës. Nga viti 2004 Zvicra ofron para së gjithash mbështetje për tranzicionin politik dhe ekonomik të vendit. Pikërëndesat e ndihmës zvicerne janë si në vijim: Qeverisja demokratike dhe decentralizimi, ekonomia dhe punësimi, ujërat, shëndetësia, migracioni si dhe paqja dhe siguria.

Kosova është njëri ndër vendet kyq për Zvicrën. Buxheti i DEZA-s dhe SECO-s për vitin 2015 kalon mbi 25 milionë franga, gjë që perfaqëson një rritje në krahasim me vitet e fundit. Projektet e sektorit të sigurisë njerëzore, të realizuara nga EDA (Departamenti i Punëve të Jashtme) kapin këtë vit një vëllim prej 900 mijë frangash. Më tutje, Zvicra ofron ekspertët e saj në dispozicion të organizatave si OSBE, UNDP dhe EULEX.

Krahas kësaj ndihmese, Zvicra në Kosovë është e pranishme edhe me Swisscoy-n, në kuadrin e KFOR-it. Më shumë se 230 pjesëtarë të ushtrisë së Zvicrës japin kështu një kontribut për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Informacione të detajuara lidhur me projektet e veçanta, lexuesit mund të gjejnë, veç tjerash edhe në faqet e internetit në vijim: https://www.eda.admin.ch/countries/kosovo/de/home/internationale-zusammenarbeit/projekte.html

Para ambasadës zvicerane ka gjithmonë shumë njerëz që presin për viza. A janë thjeshtuar procedurat për viza apo ato janë shumë rigoroze? Sa viza lëshon Ambasada e Zvicrës brenda një viti në Kosovë dhe sa persona aplikojnë?

Në vitin 2014 janë bërë 22.500 kërkesa për viza, ndërsa janë ndarë 16.600 sosh. Përfaqësia e Zvicrës jep viza jo vetëm për Zvicrën por edhe për Austrinë, Francën dhe, duke filluar nga 1 nëntori 2015, po ashtu edhe për Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun. Me këto shtete kemi lidhur marrëveshjet përkatëse.

Albinfo.ch: Cilat janë kërkesat më të mëdha për viza? Për bashkim familjar, vizat turistike apo për biznes?

Për shtetasit kosovarë ne ndajmë para së gjithash viza për vizita të familjarëve, të cilat përbëjnë 80 për qind të të gjitha vizave. Vizat e biznesit ose për udhëtime turistike përbëjnë një pjesë të vogël.

Si e vlerësoni gjendjen politike dhe të sigurisë në Kosovë?

Kosova, për shumë vende të BE-së paraqet një vend të tretë të sigurt. Zvicra e ndan me to këtë pikëpamje

Cili është rekomandimi i juaj për ngërçin politik në Kuvendin e Kosovës?

Në fund të fundit, janë vet partitë politike në Kosovë ato që duhet të gjejnë një zgjidhje. Nuk ekziston një zgjidhje e thjeshtë e cila në Kosovë do të sillej nga jashtë. Në Zvicër ne kemi pasur deri tash përvoja të mira duke i tërhequr të gjitha palët në debate për të gjetur zgjidhje. Nisur nga kjo përvojë unë do të këshilloja që edhe në Kosovë nevojitet që Qeveria dhe përfaqësuesit e të gjitha partive opozitare t`i diskutojnë së bashku çështjet përmbajtjesore. Dhe ku tjetër përveç në parlament mund të zhvillohet një ballafaqim mbi idetë e ndryshme, objektivat dhe projektet? Por kur e them këtë, unë mendoj një ballafaqim me fjalë dhe jo me dhunë fizike.

A ka në Kosovë klimë të përshtatshme për investime dhe cili është mesazhi i Juaj për investitorët zviceranë?

Krystyna Marty Lang: Ka padyshim shumë faktorë që e bëjnë Kosovën vend interesant për investitorët nga Zvicra. Kështu, ndër këta faktorë janë pagat e ulëta, afërsia me Zvicrën dhe marrëdhëniet e mira në mes të dy vendeve, popullata lokale me njohje të mirë të gjuhëve (të Zvicrës) ose edhe sistemi i mirë bankar. Përtej këtyre ne nuk mund t`i mbyllim sytë përballë problemeve, që mjerisht ekzistojnë. Këtu janë për tu përmendur në mënyrë të veçantë sistemi juridik me efikasitet të ulët dhe rreziku i korrupsionit. Në disa sektorë mund të ketë po ashtu vështirësi për të gjetur punëtorë të kualifikuar, për shkakun se sidomos sistemi i arsimit profesional në Kosovë nuk prodhon mjaftueshëm punëtorë të mirëkualifkuar.

Në rastet kur invesitorët potencialë na drejtohen, ne i informojmë ata si për shanset ashtu dhe për rreziqet dhe i vemë në kontakt me firmat zvicerane që tashmë kanë shënuar sukses këtu. Përvojat e kompanive të pranishme në vend janë të rëndësishme për investitorët, për të krijuar një pasqyrë të qartë të situatës.

Ka shumë kosovarë që kanë punuar në Zvicër, por nuk e gëzojnë pensionin , pasi që Zvicra njëanshëm ka marrë vendim për ndërprerjen e tyre. Me siguri për disa ka pasur arsye, por disa janë dëmtuar. Kur mund të zgjidhet kjo çështje?

Një sqarim të detajuar të gjendjes me pagesën e pensioneve, lexuesit tuaj mund ta gjejnë në faqen informative të Zyrës Federale për Sigurimet Sociale: https://www.eda.admin.ch/content/dam/countries/countries-content/kosovo/en/Infoblatt-definitiv-de.pdf

Ekspertët kosovarë dhe ata zviceranë janë në kontakt të ngushtë për të sqaruar çështjet e hapura dhe për të shikuar nëse në të ardhmen mund të lidhet sërish një marrëveshje bilaterale. Me një marrëveshje të tillë do të mund të paguheshin pastaj sërish pensionet edhe në Kosovë. Por sigurisht është ende herët për të bërë një prognozë se kur do të ndodhë kjo.

Ndërkaq është me rëndësi të theksohet se as në gjendjen e sotme askush nuk po i humbet kontributet e veta të paguara për AHV (Pensioni i moshës dhe trashëgimisë). Nëse dikush ka punuar në Zvicër dhe pastaj ka vendosur që vendbanimin e tij ta zhvendosë përfundimisht në Kosovë, ai mund ta kërkojë që t`ia kthejnë të gjitha kontributet e paguara deri tash. Sigurisht, të dhëna më të sakta rreth kësaj mund të gjenden në fletoren informative të Zyrës Federale për Sigurimet Sociale.

Dhe për fund: Zvicra dhe Kosova kanë pasur një marrëveshje për të burgosurit. Pra që të burgosurit kosovarë që janë në Zvicër të vuajnë dënimin në Kosovë. A ka diçka konkrete këtu, apo kjo ka qenë vetëm në suaza të shqyrtimit?

Po, ekziston “Marrëveshja në mes të Federatës Zvicerane dhe Republikës së Kosovës lidhur me transferimin e personave të dënuar”. Teksti është në dispozicion të publikut në këtë adresë: https://www.admin.ch/opc/de/classified-compilation/20121921/

Marrëveshja është në fuqi që nga 11 maji i vitit 2014. Por, në këtë kohë të shkurtë që nga hyrja e saj në fuqi, ende nuk ka pasur asnje rast të zbatimit të saj.

…..

Sigurisht, e lexoj albinfo.ch

E pyetur se a e lexon albinfo.ch., Marty Lang përgjigjet: Është e vetëkuptueshme! Ajo është një platformë me peshë për popullatën shqipfolëse në Zvicër dhe ofron një kombinim unik të informacioneve lidhur me Zvicrën por edhe lidhur me Kosovën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë, albinfo.ch merr edhe një funksion të rëndësishëm të urës lidhëse. Pa folur pastaj edhe për atë se në portal ka edhe shumë artikuj argëtues, të cilët unë i lexoj me kënaqësi.

…..

Po punohet rreth Marrëveshjes për pensionet

Ekspertët kosovarë dhe ata zviceranë janë në kontakt të ngushtë për të sqaruar çështjet e hapura dhe për të shikuar nëse në të ardhmen mund të lidhet sërish një marrëveshje bilaterale. Me një marrëveshje të tillë do të mund të paguheshin pastaj sërish pensionet edhe në Kosovë. Por sigurisht është ende herët për të bërë një prognozë se kur do të ndodhë kjo.

Ndërkaq është me rëndësi të theksohet se as në gjendjen e sotme askush nuk po i humbet kontributet e veta të paguara për AHV (Pensioni i moshës dhe trashëgimisë). Nëse dikush ka punuar në Zvicër dhe pastaj ka vendosur që vendbanimin e tij ta zhvendosë përfundimisht në Kosovë, ai mund ta kërkojë që t`ia kthejnë të gjitha kontributet e paguara deri tash. Sigurisht, të dhëna më të sakta rreth kësaj mund të gjenden në fletoren informative të Zyrës Federale për Sigurimet Sociale.

…..

Janë ndarë 16.600 viza

Në vitin 2014 janë bërë 22.500 kërkesa për viza, ndërsa janë ndarë 16.600 sosh. Përfaqësia e Zvicrës jep viza jo vetëm për Zvicrën por edhe për Austrinë, Francën dhe, duke filluar nga 1 nëntori 2015 po ashtu edhe për Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun. Me këto shtete kemi lidhur marrëveshjet përkatëse.

Për shtetasit kosovarë ne ndajmë para së gjithash viza për vizita të familjarëve, të cilat përbëjnë 80 për qind të të gjitha vizave. Vizat pë biznesiose për udhëtime turistike përbëjnë një pjesë të vogël.