Kosova

Mbi dy mijë zyrtarë policorë u larguan nga Policia e Kosovës

Nga themelimi i saj, e deri më tani, Policia e Kosovës numëron rreth nëntë mijë punonjës/personel policor me uniformë dhe civilë.

Nga ky numër i përgjithshëm i zyrtarëve policorë, ka edhe të atillë që kanë lënë punën për arsye nga më të ndryshmet apo edhe janë përjashtuar. Policia e Kosovës (PK) thekson se janë gjithsej 1, 406 zyrtarë policorë që kanë dhënë dorëheqje.

“Numri i policëve që kanë lënë detyrën, qoftë policë që kanë dalë në pension apo policë që kanë dhënë dorëheqje për arsye të ndryshme, është gjithësej 1,406. Ndërsa i policëve që janë përjashtuar nga detyra: është gjithësej 887”, thuhet në përgjigjen e Policisë, shkruajnë mediat në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa Inspektoriati Policor i Kosovës (IPK) thekson se për nëntëmujorin e vitit 2019 ka pranuar gjithsej 1030 lëndë /ankesa të cilat janë pranuar përmes mënyrave të ndryshme në IPK.

“Nga numri total prej 1030 lëndëve/ankesave, 679 ankesa janë dërguar në Policinë e Kosovës për hetim disiplinor, ndërsa 351 ankesa janë proceduar në Departamentin e Hetimeve në IPK. Inspektorati Policor i Kosovës, përkatësisht Departamenti i Hetimeve me autorizim të Prokurorisë në periudhën janar – shtator 2019 ka arrestuar tridhjetë e dy (32) zyrtarë policorë dhe një (01) staf civil, kurse ka rekomanduar suspendimin e pesëdhjetë e shtatë (57) zyrtarëve policorë dhe dy zyrtarëve të stafit civil të PK-së. Sa i përket zyrtarëve policorë të transferuar, janë tetë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dërguar Telegrafit.

Sipas IPK-së, duke pasur parasysh rastet e pranuara në IPK gjatë këtij nëntë mujori hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë ngritur 41 kallëzime penale pranë prokurorive kompetente, 9 raporte të veçanta si dhe 141 raporte informuese që janë përcjellë në prokurori.

Ndërsa bazuar në raportin vjetor 2018 të Inspektoriatit policor të Kosovësgjatë vitit 2018 Policia e Kosovës ka pasur 86341 punonjës, prej të cilëve në përgjithësi si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 198 punonjës të PK-së (theks i veçantë është se numri i punonjësve sipas identitetit është 194 punonjës policor).

“E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.29 % i punonjësve të PK-së janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale apo 0.09% më shumë se vitin e kaluar. Pra, në vitin 2018 numri i punonjësve të hetuar është më i madh për 8 punonjës krahasuar me vitin 2017”, thuhet në raport.

Ndërsa në këtë raport thueht se bazuar në të dhënat nga Departamenti i Hetimeve, që kanë ndërmarrë veprimet e kërkuara ligjore, gjatë vitit 2018 janë arrestuar 12 zyrtarë policorë, janë suspenduar 50 zyrtarë policor, dhe janë bërë 10 transfere të zyrtarëve policor.

Po ashtu gjatë vitit 2018, IPK-ja ka hetuar raste në drejtim të veprave të ndryshme penale, ndërkaq veprat penale më të shpeshta që u hetuan gjatë vitit 2018 ishin: 46 raste “rrezikim i trafikut publik”; 27 raste “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”; 23 raste “lëndim i lehtë trupor”; 19 raste “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”; 05 raste “manipulimi me prova”.

Kujtojmë se Forcat Speciale të Policisë së Kosovës para tri ditësh kanë ndërmarrë një aksion në veri të vendit, me ç’rast kanë arrestuar dy persona dhe një tjetër është në kërkim.