Shëndetësi
Ia vlen të lihet duhani
Lënia e duhanit pavarësisht dëmeve anësore që sjell, nuk është e lehtë për disa persona. Disa të tjerë habiten me veten se pas një kohe shumë të gjatë, arrijnë të ndalojnë konsumimin e duhanit edhe pse kjo gjë, është në të mirë të tyre. albinfo.ch sjell përvojat e tyre
Afaristi shqiptar, i cili jeton në Zvicër, Zija Shabani, tregon periudhën kur vendosi t`i thotë mjaft pirjes së duhanit.
“Kur u vetëdijesova, vendosa ta ndërpres, para se të më shfaqet një sëmundje dhe para se mjeku të më thotë se është vonë. Po kështu është e pahijshme që pasardhësit të shohin duke konsumuar duhanin dhe ti, edhe pse e di se nuk është e mirë, nuk mund t`u thuash mos pini duhan kur vetë e konsumoni… Këto më shtynë të vendosja që ta lija duhanin… Nuk ishte e vështirë, ishte shumë e lehtë pasi që e bëra për veten time. Po ndërprisja diçka që ishte e dëmshme për shëndetin… Kjo mund të ilustrohet me momentin kur sheh rrezikun dhe nuk vazhdon tutje pasi që e di që është rrezik”, ka thënë Shabani. “… prandaj them se çdokush mund ta braktisë duhanin pa asnjë vështirësi. Vetëm vendimi i individit është me rëndësi… Unë e ndjej veten shumë mirë, saqë edhe aromën e kafesë ose çajit pas lënies së duhanit e ndjej me intensitet më të madh, po ashtu edhe ushqimin. Aroma dhe shija e çdo gjëje, që nga lënia e duhanit është e pastër e jo me duhan…”. Megjithatë, ai pranon se ndonjëherë i shkon mendja të kapë cigaret e ta ndezë një.
Disa gjëra njeriu i kupton vetëm pasi ta braktisë duhanin
“…A më shkon mendja? Po, ndonjëherë sigurisht. Po sa më shumë vite që kalojnë, aq më rrallë më shkon mendja. Tash gjithsej një apo dy herë në vit më bie mend për duhanin. Mirëpo, e thashë edhe më parë, e gjitha varet nga ajo se sa e ke nën kontroll ti veten… Kam pasur biseda me shumë njerëz, mirëpo shumica e duhanpirësve nuk e dëgjojnë veten me sinqeritet, por fshihen pas duhanit dhe bëhen të dobët…”, rrëfen tutje, Shabani për kohën e lënies së duhanit, duke theksuar se nuk ka dëshirë ta kujtojë atë kohë. “… Mundohem të distancohem edhe nga tymi se me të vërtetë më pengon në frymëmarrje. Është shumë i çuditshëm ky fenomen. Atë e kupton njeriu vetëm kur e lë duhanin”, shprehet Zijai për albinfo.ch.
“Është interesante se kur e lë njeriu duhanin, e di se sa kohë të ditës e të jetës i ka kaluar për një tymosje, respektivisht për cigaret që i ka pirë në ditë. Nëse ke konsumuar një cigare mesatarisht nga 6 minuta e sheh se sa kohë ke marrë tym në organet e trupit tënd për t`i ngarkuar ato me helmime dhe për ta sëmurë veten duke shpenzuar para, pa nevojë”, përfundon rrëfimin Zija Shabani.
Ramdan Morina: Duhanpirja, vesi më i keq që kam
Ndërkohë, Ramadan Morina, është aktor dhe moderator programesh artistike të komunitetit shqiptar në Zvicër e Gjermani nuk ka arritur të lë duhanin. “Unë e pi duhanin që nga mosha 19-vjeçare. Jam nga ata duhanxhinjtë e `gërditshëm`, që nuk e kontrolloj aspak se sa cigare pi brenda ditës. Gjithsesi asnjëherë më pak se 30 në ditë. Më duhet ta pranoj se e shoh si vesin tim më të shëmtuar. Unë kam ndërprerë kohë pas kohe, madje edhe deri në 3-4 vjet, por nuk kam arritur ta mënjanoj komplet. Kam ndjekur edhe kurse antiduan. Edhe pse e pata reduktuar në masë të madhe, prapëseprapë nuk ia kam arritur të dal dhe të ik tërësisht nga ky ves i shëmtuar”, tregon ai.
Dani thotë se nuk e di arsyen pse konsumon duhan, duke shpresuar se një ditë do të vetëdijesohet dhe do ta lë përfundimisht atë. “Nuk arrij dot të gjej arsyen se pse e ndez duhanin. Kot fare… Budallallëk gjithsesi. Shpresoj shumë që një ditë të bëj diçka klik në kokë dhe të bëhem antiduhan. Do të ishte një e arritur e jashtëzakonshme për mua”, thotë ai.
Duhanxhinjtë e rregullt në Zvicër konsumojnë dukshëm më shumë duhan se që ishte menduar deri tash. Kjo erdhi pas një studimi që tregon se ata tymosin pothuaj një paketë cigaresh në ditë, gjegjësisht 18 cigare në ditë.
Disa informacione për pasojat e duhanit:
Kanceri më i zakonshëm në Zvicër është kanceri i mushkërive. Nëntë nga dhjetë pacientë janë duhanpirës. 3200 shtetas zviceranë vdiqën më 2013 nga kanceri i tillë. Vetëm në Zvicër 9500 njerëz vdesin para kohe nga pasojat e pirjes së duhanit.
Sa kushton?
Nga një tjetër rritje të tatimit së duhanit prej 12.5 për qind, nga kjo e shtunë një pako me 20 cigare në Australi, do të kushtojë përafërsisht 27 dollarë australianë, që në kundërvlerë i bie rreth 19 franga zvicerane. Në vitin e ardhshëm dhe një vit më vonë, çmimi pritet të rritet edhe me një tjetër 12.5 për qind. Qëllimi është që njerëzit të heqin dorë nga pirja e duhanit.
Sa për krahasim: Sipas shifrave të statistikave, një pako me 20 cigare në Zvicër kushton mesatarisht 8.5 franga. Për shkak të tatimit të duhanit, çmimet zvicerane janë ndër më të lartat në Evropë.
Shtatë milionë njerëz në botë brenda vitit vdesin nga pasojat e konsumimit të duhanit. Kjo bën që duhani të jetë shkaktari më i madh, i evitueshëm, i vdekjes në botë. Sipas Organizatë Botërore të Shëndetësisë WHO, në botë tymosin duhan 20 për qind të personave të rritur. Ndërsa në Zvicër kjo përqindje është më e lartë, gjegjësisht 25 nga 100 zviceranët e moshës madhore janë duhanxhinj.
Si ndikon lënia e duhanit në shëndetin tuaj
Lënia e duhanit në çfarëdo moshe rrit jetëgjatësinë, duke mundësuar ndalimin e zhvillimit të sëmundjeve malinje ose ndonjë sëmundje tjetër serioze.
Kështu pas:
20 minutash- tensioni juaj i gjakut do të kthehet në normalitet.
8 orësh- nikotina, monoksidi i karbonit dhe nivelet e oksigjenit në gjakun tuaj do të kthehen në vlera normale.
2 ditësh- mushkëritë tuaja do të fillojnë të pastrohen dhe shija e nuhatja juaj do të fillojnë të përmirësohen.
3 ditësh- frymëmarrja do të jetë më e lehtë dhe nivelet e energjisë do të rriten.
2-12 javësh- qarkullimi i gjakut fillon të përmirësohet dhe mund të ushtroheni me lehtësi.
3-9 muajsh- problemet e frymëmarrjes, kolla do të përmirësohen.
5 vjetësh- rreziku i një ataku kardiak bie me 50% krahasuar me një duhanpirës. Ju tashmë keni të njëjtin risk për atak kardiak me një njeri që nuk ka pirë kurrë duhan.
Të tjera nga Shëndetësi
E-Diaspora
-
Promovohet në Cyrih libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998 -1999” Mjetet nga shitja e librit do të përdoren për krijimin e një faqeje interneti në të...
-
Tryezë e rrumbullakët në Lozanë
“Inxhinierët Shqiptarë të Zvicrës” flasin me profesionalizëm për krizën e mungesës së talenteve në Zvicër
-
“Ballë për ballë”, një perspektivë shqiptare në podiumin ndërkombëtar të fotografisë
-
Angli: Policia i gjen shqiptarit 8.000 mesazhe për shitje kokaine
-
Qarkullonte me drogë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar në Itali
Jeta në Zvicër
-
Pritje në Kantonin Obwalden për Konsullin e Kosovës në Cyrih Shefi i Konsullatës, Vigan Berisha është pritur nga drejtori i ekonomisë në Qeverinë e Kantonit, Othmar...
-
3.5 milionë zviceranë janë të varur nga telefonat inteligjentë
-
Çmimet e parkimit në Zvicër po rriten më shpejt se inflacioni
-
Vizat Shengen, vetëm në formë dixhitale
-
Zvicër: Fondet e papunësisë do të rimbursohen vetëm me shpenzimet reale