Futboll

Menaxheri i Muriqit zbulon se nga cilat kampionate ka oferta për yllin e Kosovës

Vedat Muriqi pritet së shpejti të largohet nga skuadra e tij aktuale, Fenerbahce.

Ylli nga Kosova ka shkëlqyer në vitin e tij të parë me gjigantin turk, ndërsa shumë skuadra janë vënë pas tij.

Ditë më parë u zbulua se Fenerbahce kishte refuzuar në janar 19 milionë euro nte Tottenham Hotspur për Muriqin.

Por, pas pandemisë së Covid-19, skuadrat evropiane janë futur në krizë financiare dhe ka ndryshuar çmimi i lojtarëve.

Tani Fenerbahce është gati ta lejojë largimin e Muriqit edhe për 15 milionë euro, nëse vjen oferta e duhur.

E menaxheri i Muriqit, Haluk Canatar, u ka thënë medieve turke se për klientin e tij ka oferta nga dy kampionate të mëdha evropiane, si Serie A dhe Liga Premier.

“Ka oferta verbale, por edhe me shkrim nga Anglia dhe Italia për Muriqin”.

“Për momentin nuk mund t’i zbuloj emrat e skuadrave pasi janë duke u zhvilluar dy kampionatet”, ka deklaruar Canatar.

Lazio, Napoli dhe Fiorentina janë tri skuadrat italiane që kanë shprehur interesim më parë për yllin kosovar.

Ndërkohë numri i skuadrave angleze që e duan prizrenasin është i gjatë, me Tottenham Hotspur që vazhdojnë interesimin.

West Bromwich Albion, Burnley, Leicester City, Brighton dhe Crystal Palace janë ekipet e tjera angleze që e duan Muriqin.