Lajme

Mërgimtari kthehet pas 6 vjetëve në Kosovë

Shpëtim Hajdari është mërgimtari që i janë dashur më shumë se gjashtë vjet për t’u kthyer në Kosovë, atje ku po e priste e dashura e tij që e kishte njoftuar përmes “Instagram-it”, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se ajo, bashkë me nënën e tij kishin dalë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe me padurim po e prisnin çastin kur ai do t’i shihte e t’i përqafonte.

Nëna e Shpëtimit, derisa po priste atë të vijë, me zë të dridhur tregoi për ATV-në se sa të vështirë e ka pasur ta përcjellë djalin para gjashtë vjetësh, gjersa shtoi se edhe kur ia ka kumtuar lajmin se po vjen, e ka përjetuar njëjtë.

“Kur më tha se po vjen, kam qarë gjithë ditën, sikur atë ditë kur është nisë. Janë emocione të përziera, sikur atë ditë që është nisë, ashtu edhe atë ditë kur më tha se po vjen. Disi më kujtohej krejt periudha se si ka shkuar, çfarë ka hequr”, u shpreh tutje nëna e mërgimtarit.

Në anën tjetër, e dashura e tij tregon se sa kohë ka që janë njoftuar.

“Afërsisht në shtator i bëjmë dy vjet që jemi duke fol bashkë. Është sot hera e parë që do ta takoj ‘live’ dhe jam plot emocione dhe mezi s’po pres me e pa”, u shpreh ajo.

Lot gëzimi e emocione pa fund erdhën në momentin kur Shpëtimi e përqafoi nënën e tij me të mbërritur në aeroport. Ai për asnjë çast të vetëm nuk i largonte dy duart nga qafa saj gjersa lotët i shkonin rrëke.

“Unë po tregoj drejt, gjithë rrugëtimin që e kam bo për të ardhur këtu, unë mendjen e kam pasur veç tek nëna”, ishin fjalët e Shpëtimit me të mbërritur në shtëpi.

“Ka disa shokë të mi që janë martuar me gjermane, polake, por unë nënës time i kam premtuar që veç shqiptare do ta marr dhe jo tjetër. Kam punuar vetë, i kam bërë letrat vetë vetëm për të ardhur e për ta marrë këtu prej Kosove dhe nëna të jetë e lumtur me gjithë familjen time. I madhi zot, kjo është dhuratë prej zotit. Nuk e di se si jemi njoftuar në ‘Instagram’ dhe kemi vazhduar duke shkruar. Na ka pëlqyer muhabeti dhe unë isha në Gjermani dhe nuk kisha qysh me dal me e pa këtë vetë. Pastaj i thashë motrës së madhe, dil ti”, thotë tutje ai.