Lajme

Miftar Kastrati dhe Bekim Thaçi zgjidhen këshilltarë komunalë në Austri

Ata do të jenë pjesë e Këshillit Komunal për gjashtë vjetët e ardhshme në komunat ku jetojnë

Dy kandidatë shqiptarë, Miftar Kastrati dhe Bekim Thaçi, kanë fituar në zgjedhjet e 26 shtatorit të mbajtur në disa komuna në Austri.

Ata do të jenë pjesë e Këshillit Komunal për gjashtë vjetët e ardhshme në komunat ku jetojnë.

Miftar Kastrati ka garuar në listën e Partisë së ÖVP-së (Partia Popullore e Austrisë) në qytetin e Vöcklabruck-ut. Ai është renditur ndër kandidatët më të votuar në këtë qytet. “Është një kënaqësi shumë e madhe për mua, por njëkohësisht edhe një arritje për partinë e ÖVP-së. I falënderohem gjithë votueseve të mi për mbështetjen e tyre të madhe, sepse vetëm përmes tyre arrita të zë vendin e 3-të në mesin e kandidatëve të ÖVP-së, ndërsa vendin e 4-t në mesin e 219 kandidatëve të të gjitha partive konkurruese”, ka thënë Miftari për albinfo.at.

Miftar Kastrati me kryetarin e Austrisë së Epërme, Thomas Stelzer

Miftar Kastrati ka falënderuar po ashtu edhe bashkatdhetarët shqiptarë për përkrahjen dhe votën që ia kanë dhënë. “I falënderoj të gjithë bashkatdhetarët tanë për besimin dhe votën që kanë dhënë për mua. Më kanë telefonuar nga të gjitha anët dhe më kanë pyetur se si munden të votojnë, por edhe shumë të tjerë që më kanë përgëzuar për rezultatin”, ka thënë ai, duke shtuar se do të vazhdojë edhe në të ardhmen t’i përfaqësojë të gjithë në Këshillin Komunal.

Miftar Kastrati është nga Klina, ndërsa prej shumë vjetësh është anëtar i partisë së ÖVP-së. Ai jeton në Vöckalbruck dhe udhëheq një kompani për sigurime “Kastrati Group”.

Fitore ka arritur edhe Bekim Thaçi. Ai ka garuar nga lista e Partisë së Gjelbër në komunën Aschach an der Donau, po ashtu në landin Austri e Epërme. Edhe Bekimi ka dalë i treti si kandidat më i votuar nga partia e Gjelbër. “Jam shumë i lumtur për vlerësimin dhe besimin që ma kanë dhënë. Kjo me detyron të jem edhe më shumë përgjegjës dhe të jem zë i të gjithë atyre që më votuan, por edhe i gjithë qytetarëve të komunës sonë”, ka thënë ai.

Bekim Thaçi me bashkëpartiakët

Bekimi erdhi nga Kosova në Austri në vitin 1997. Ai jeton me gruan dhe dy fëmijët në Aschach/Donau. Kohën e lirë e kalon duke lexuar apo duke punuar në kopsht. Po ashtu, Bekimi është edhe anëtar i Shoqatës Kulturore – Sportive “Anadrini” në Aschach/Donau

Në Partinë e Gjelbër, Bekimi është anëtarësuar në vitin 2009, ndërkohë nga viti 2015 ka qenë asamblist në dikasterin e arsimit (Schulausschus) në komunën e Aschach an der Donau. Nga viti 2014 punon si vullnetar në Ndihmën e Shpejtë, kurse prej 2017  është zëvendësanëtar i Komitetit Social.