Kosova

Ministri i ri i Mbrojtjes që vjen nga diaspora merr detyrën në Qeverinë e Kosovës

Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ia ka dorëzuar detyrën ministri të ri të këtij dikasteri, Armend Mehaj.

Në një ceremoni zyrtare, Quni tha se ndjehet mirë që kjo përgjegjësi po kalon te Mehaj, i cili ka një biografi të pasur ushtarake.

“Është kureshtje e madhe të dimë për ju pasi që mediet po duan të dinë për të kaluarën tuaj. Po them disa fjalë, kam pas ndjenjë shumë të mirë kur kam pranuar detyrën. Po ndjehem po ashtu mirë që kjo përgjegjësi po kalon tek ju me një biografi të pasur ushtarake. Jam i sigurt që me ju të gjitha projektet dhe kauza e vizionet e objektivat tona do të jenë në rrugën e mirë të drejtë. Ne jemi një hap më afër integrimeve euroatlantike me ju”, tha Quni.

Ndërsa, ministri Armend Mehaj tha se do të punojnë në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Vij nga mërgata. Kam lënë familjen e punën me i shërby vendit. Do të avancojmë Forcën e Sigurisë. Kam respektin me marrë detyrën nga ish-ministri dhe kam emocionet e njëjta si ai. Shumë respekt. Ato punë që janë të mira do të vazhdojnë kurse ato që duan rishikim do të rishikohen. Kemi qëllim të marrin pjesë më misione të jashtme. Ta bëjmë forcën të standardeve ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ndërkohë ministri i ri me të marr detyrën ka zhvilluar edhe takimin e parë zyrtar. Ai priti në vizitë ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl

Me këtë rast, ministri Mehaj e falënderoi ambasadorin Grondahl për vizitën e tij duke shprehur falënderimin për Mbretërinë e Norvegjisë, për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar në ndërtimin, zhvillimin dhe të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Ministri Mehaj shprehu besimin e plotë se bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Norvegjisë do të intensifikohen edhe më tej në funksion të arritjes së aftësive dhe kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së, për të mundësuar kështu ofrimin e kontributit të Kosovës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global, në operacione paqeruajtëse krahas vendeve partnere në mesin e të cilave me rol shumë të rëndësishëm është edhe Mbretëria e Norvegjisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Nga ana e tij, ambasadori Grondahl e falënderoi ministrin Mehaj për pritjen dhe i uroi detyrën e re, si dhe premtoi se Norvegjia, sikur deri më tash do të vazhdojë ta ndihmojë dhe mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, në të gjitha fushat dhe komponentët në mënyrë që t’i përmbushin me sukses të plotë synimet e tyre.