CH-Ballkani

Ministria dhe afaristët e diasporës paralajmërojnë themelimin e OED

Java me bizneset e diasporës Shqiptare mblodhi 300 afaristë nga anembanë bota. Dike nisur nga Kanadaja e deri në Australi, aferistët Shqiptare u pritën në një sesion bashkëbisedues nga krerët institucional të shtetit të Kosovës.

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dy zëvendës kryeministrat Dardan Gashi dhe Fatmir Limaj, ministrat Endrit Shala dhe Valdrin Lluka bashkëbiseduan me afaristë të suksesshëm të diasporës tonë në mesin e të cilëve dhe Lazim Destani, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Nazmi Viqa, kryetar i Unionit të bizneseve të diasporës Shqiptare në Gjermani të cilët paralajmëruan përfundimin e procedurave për themelimin e Odës Ekonomike të Diasporës – një organizatë e cila është diskutuar tashmë një kohë të gjatë si projekt i rëndësishëm.

Zv. kryeministri/ Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi gjatë fjalës përshëndetëse tha se promotor i zhvillimit ekonomik është diaspora dhe se Kosova duhet që ta rrisë bashkëpunimin me bashkatdhetarët tanë në mënyrë që bizneset e tyre të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Pas pavarësimit ne kemi menduar që investimet e huaja do të jenë motor i zhvillimit, por në fakt jeni ju pjesëtar të diasporës tanë. Qëllimi i këtij takimi sot është se si të përmirësohet bashkëpunimi mes institucioneve dhe afaristëve nga diaspora. Ju ftojmë të merrni pjesë edhe në procesin e privatizimit, ndërsa lobimi juaj te ne të jetë më i fortë dhe më konkret. Nëse ne si institucione marrim detyrat tona që investimet të jenë të sigurta, nuk e kemi kryer punën tonë”, tha Gashi.

Ndërsa Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi duke folur për Kosovën si vend atraktiv për të investuar, nuk la pa e përmendur edhe transformimin e FSK në ushtri.

“Kosova ka një klimë të përshtatshme për të bërë biznes, ne u jemi mirënjohës bashkatdhetarëve tanë të cilët investojnë në vendin e tyre dhe fal tyre Kosova arrin të ketë një imazh të mirë në botë. Sot derisa po flasim këtu, është një ditë mjaft me rëndësi derisa janë duke u shqyrtuar në kuvend projektligjet për transformimin e FSK në ushtri” tha Thaçi.

I pranishëm në javën e Bizneseve të diasporës shqiptare ishte edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ai tha se Qeveria e Kosovës do të jetë çdo herë përkrah diasporës dhe se do të eliminohen barrierat që kanë ata për të investuar në Kosovë.

“Kosova ka mundësi të jashtëzakonshme që investitorët nga diaspora ta gjejnë interesin ekonomik për ta zhvilluar e fuqizuar vendin, si qeveri e Kosovës po përpiqen që të eliminojnë çdo procedure burokratike që bashkatdhetarët tanë ta kenë më të lehtë për të investuar”, tha Limaj

Në javën e bizneseve të diasporës shqiptare mori pjesë edhe Ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, ai gjatë fjalimit të tij tha se “ Shqiptarët janë në ditët më të mira si komb, sepse është kaluar nga mbijetesa në normalitet unë i inkurajoj bizneset nga diaspora që të investojnë kapitalin në Kosovë dhe në gjithë trojet shqiptare.

“Java me bizneset e diasporës shqiptare” vazhdon aktivitetet edhe nesër ku do të bëhet listimi i kërkesave nga bizneset e diasporës dhe përgatitja e rekomandimeve për institucionet.