Shqipëria

Modeli zviceran i arsimit sjell ekspertët nga Tirana në Bellinzona

Lidhur me vizitën, albinfo.ch ka biseduar me të gjitha palët: me mikpritësit nga Zyra për Orientim Profesional e Kantonit të Tiçinos, organizatorin, që është Helvetas, dhe mysafirët, nga Tirana

Gjatë gjithë javës që po shkon, në Zvicër, ose më saktë, në Bellinzona të Kantonit të Tiçinos ka qëndruar një delegacion specialistësh të arsimit nga Shqipëria. Ardhja e tyre në Zvicër kishte për qëllim marrjen e përvojave lidhur me modelin zviceran të këshillimit për zgjedhjen e profesioneve. Bëhet fjalë për një model të vlerësuar lart në nivel ndërkombëtar, që rregullon një fushë e cila deri tani ka qenë pothuajse e panjohur në Shqipëri.

Lidhur me natyrën e këtij projekti, qëllimet dhe përfitimet nga ai, albinfo.ch ka biseduar me të gjitha palët: me mikpritësit nga Zyra për Orientim Profesional e Kantonit të Tiçinos, organizatorin ose ndërmjetësuesein, që është Helvetas, dhe mysafirët, ekspertët arsimorë nga Tirana. Përfaqësuesit përkatës e shpjegojnë materien secili nga perspektiva e tyre.

Rita Beltrami: “Nga këto projekte fitojmë të gjithë”

Rita Beltrami është udhëheqëse e Zyrës për Orientim Profesional të Kantonit të Tiçinos.

Si përgjegjësja në nivelin më të lartë pritës sa i përket këtij projekti, ajo thotë për albinfo.ch se nga angazhime të tilla ka vetëm përfitime, nga të dyja palët. “Pasi mora lutjen nga Helvetas për të realizuar këtë projekt, iu përgjigja asaj me kënaqësi sepse  nga shkëmbime të tilla gjithmonë dalin eksperienca të mira, si për kolegët nga Shqipëria ashtu dhe për ne, pasi që ky bashkëpunim  është një eksperiencë e re. Në këtë mënyrë në rastet sikur ky, të gjithë jemi përfitues, një “Win-win Situation”.

Unë kam dy gjëra për tu treguar kolegëve të mi nga Shqipëria: se arsimi në Zvicër është ndryshe nga ai në Shqipëri. Modeli i të mësuarit që e kemi ne është vërtet një model i kërkuar në botë, bëhet fjalë për sistemin e njohur dual të arsimit zviceran. Ne kemi biseduar me mysafirët edhe lidhur me mënyrën si punon një këshilltar profesionesh dhe si funksionojnë zyrat e tilla në Tiçino. Pastaj ata do të vizitojnë edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, me bashkëpunëtorët e mi, shkollat dhe zyrat regjionale ku do të shikojnë se çfarë bëjmë, dhe si punojmë ne, do të bisedojnë me nxënësit studentët etj. thotë për albinfo.ch Rita Beltrami, udhëheqëse e Entit për Orientim Profesional të Kantonit të Tiçinos.

Joniada Hito: Qendra në Tiranë do të jetë e para e këtij lloji në Shqipëri

Joniada Hito punon si përgjegjëse për zyrën e karrierës në Bashkinë e Tiranës. Duke folur për qëllimin e ardhjes së delegacionit nga Shqipëria në Zvicër ajo thotë për albinfo.ch se “Bashkia e Tiranës ka kohë që dëshiron të hapë një shërbim të tillë për komunitetin, shkollat, gjimnazet. Kështu, ne kemi gjetur mbështetje nga Risi Albania për të hapur zyrën e karrierës. Kjo zyrë do të vihet në mbështetje të të rinjve dhe të rejave, duke ofruar shërbime si informacione për profesione të ndryshme gjithashtu edhe për orientimin në karrierë, për të ardhmen e tyre.

Sigurisht, është diçka e re. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë zyrë të tillë në Tiranë dhe në Shqipëri. Nëse ka pasur atëherë ka qenë fjala për ndonjë zyrë në nivele institucionesh më të vogla si në ndonjë universitet ose ngjashëm. Por për institucione të mëdha dhe për qytete, është hera e parë që po ofrohet një shërbim i tillë.

Unë do të jem përgjegjëse e zyrës së karrierës në themelim. Kam eksperiencë në këtë drejtim, pasi kam marrë një formim arsimor në lidhje me orientimin dhe këshillimin për karrierë, që e kam fituar nga institucione të huaja.

Për ne duket goxha e vlefshme si eksperiencë kjo që po marrim këtu dhe si takim për shkëmbim përvojash. Po prekim realitetin nga afër se si funksionon dhe ne do të marrim më të mirat për të parë pastaj se si do të përshtaten ato në realitetin tonë shqiptar dhe për të bërë më të mirën në punën tonë në Tiranë, thotë më tutje znj. Hito për albinfo.ch.

Ndërsa pyetjes sonë përse ky projekt po zhvillohet pikërisht në bashkëpunim me Zvicrën, ajo i përgjigjet: “U zgjodh ky vend pasi që Zvicra mbahet si njëri ndër shtetet më të avancuara sa i përket shërbimit të orientimit të karrierës. Pastaj, duke qenë se ne kemi një bashkëpunim të mirë me “Risi Albania” dhe me “Helvetas”-in ishte e kuptueshme përzgjedhja  e Zvicrës”, përfundon Hito.

Katharina Walker: Zvicra si burim inspirimi

Në emrin e organizatorit ose ndërmjetësuesit të këtij projekti, për albinfo.ch flet Katharina Walker, këshilltare e lartë për formim profesional. “Ne kemi këtu një delegacion prej 7 vetash nga Shqipëria dhe qëllimi i këmbimit është  të kuptojmë funksionimin e sistemit të këshillimit profesional të Zvicrës. Kjo për faktin se momentalisht në Tiranë po themelohet qendra e parë e këshillimit profesional. Për të ndërtuar këtë qendër, ata janë inspiruar fuqishëm nga sistemi zviceran dhe tani ne kemi këtu drejtuesen e kësaj qendre por edhe këshilltarët profesionalë të ardhur nga Tirana.

Gjatë kësaj jave ata do të përfitojnë këtu një trajnim të plotë, do të vizitojnë disa qendra të ndryshme për këshillim profesional brenda kantonit të Tiçinos dhe do të mësojnë se çfarë bën në të vërtetë një këshilltar i profesioneve në sistemin zviceran.

Njëra ndër arsyet përse trajnimi po bëhet pikërisht në Tiçino është ajo se njerëzit në Shqipëri pothuaj të gjithë e flasin në mënyrë të përsosur italishten. Kjo e bën shumë më të thjeshtë dhe efikase punën në krahasim me situatën nëse ata do të dërgoheshin në ndonjë kanton gjermanishtfolës ose frankofon, thotë më tutje znj. Walker për albinfo.ch.

Si aktivitet i parë në ditën e parë ka qenë pritja nga Rita Beltrami, drejtuese e Entit për Orientim Profesional të Kantonit të Tiçinos. Ajo është edhe anëtare e Komisionit Federal për këshillime profesionale. Zonja Beltrami i ka njohur ata me materien e punës së këshilltarëve të profesioneve, mënyrën si funksionon kjo në Zvicër etj.

Në emrin e Helvetas-it, ne falënderojmë përzemërsisht zonjën Beltrami për angazhimin e saj të shkëlqyer.

Helvetas, i angazhuar nga Deza (Drejtoria Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim) bën implementimin e projektit për punësimin e të rinjve “Risi” (Inovacion) në Shqipëri. Ky pra është një projekt zviceran në Shqipëri të cilin e realizon Helvetas-i si OJQ zvicerane së bashku me “Partners Albania”. Në këtë kuadër ne rrjetëzojmë aktorë të ndryshëm shqiptarë, i mbështesim me ekspertizë zvicerane sikur në rastin e tashëm. Delegacioni është nga Tirana, sepse ideja është që, pasi të ngrihet qendra e parë në Tiranë, dhe pasi ajo të funksionojë mirë, atëherë ajo të zgjerohet edhe në zonat tjera të vendit. Duhet thënë se kryebashkiaku i Tiranës qëndron fuqishëm në mbështetje të kësaj iniciative.

Ne si Helvetas kemi projekte shumë të ngjashme me këtë edhe në Kosovë, Bosnjë dhe Maqedoni, përfundon Katharina Walker nga Helvetas-i