Lajme

Musk thotë se largoi nga puna rreth 80% të stafit në Twitter

Më shumë se 6,000 njerëz janë pushuar nga puna në Twitter që kur mori drejtimin e kompanisë miliarderi Elon Musk.

Më shumë se 6,000 njerëz janë pushuar nga puna në Twitter që kur mori drejtimin e kompanisë miliarderi Elon Musk.

Këtë e ka pohuar vetë Musk në një intervistë dhënë BBC-së, ku tha se platforma e mediave sociale tani ka vetëm 1,500 punonjës, nga rreth 8,000 që ishin të punësuar në kohën e blerjes së tij, transmeton Albinfo.ch.

Reduktimi është i barabartë me afërsisht 80% të stafit të kompanisë.

Musk tha se largimi i tyre “nuk është aspak argëtues” dhe ndonjëherë mund të jetë “e dhimbshme”.

Njeriu i dytë më i pasur në botë tha se nevojiteshin “veprime drastike” kur ai hyri në bord, sepse kompania po përballej me “një situatë negative të rrjedhës së parave prej 3 miliardë dollarësh”.

“Kjo nuk është një situatë e kujdesshme ose]e pakujdesshme. Është sikur, nëse e gjithë anija fundoset, atëherë askush nuk ka punë”, tha Musk.

Musk bleu Twitter për 44 miliardë dollarë tetorin e kaluar.

Pasi ofroi fillimisht për të marrë përsipër kompaninë në prill 2022, ai u përpoq të dilte nga marrëveshja, duke përmendur shqetësimet se sa llogari bot kishte. Që atëherë ai e ka riparuar rrënjësisht Twitter-in: shkarkimin e drejtuesve të lartë, shkurtimin e vendeve të punës dhe miratimin e politikave të reja se si verifikohen ose etiketohen llogaritë e përdoruesve./Albinfo.ch