Lajme

Trump: Bisedimet me Iranin do të vazhdojnë, armëpushimi ka marrë fund

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ka kërkuar vazhdimin e bisedimeve me SHBA dhe se Uashingtoni zyrtar e  ka pranuar këtë kërkesë teksa e ka përsëritur se armëpushimi konsiderohet i përfunduar.

“Republika Islamike e Iranit ka kërkuar që të vazhdojmë bisedimet. Ne kemi rënë dakord për këtë, por Shtetet e Bashkuara ua kanë bërë të qartë, pa asnjë dilemë, se armëpushimi ka përfunduar”, ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, negociatorë nga Katari të premten kanë zhvilluar takime me zyrtarë iranianë, me synimin për t’i ulur tensionet pas shkëmbimit të sulmeve mes Iranit dhe SHBA-së. Në fokus të bisedimeve ishte edhe siguria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Trafiku ditor i anijeve që kalojnë nëpër këtë rrugë detare strategjike u ngadalësua të premten, pasi sulmet e fundit rritën shqetësimet për furnizimin global me naftë dhe sigurinë e transportit detar, duke treguar njëkohësisht se armëpushimi i përkohshëm mbetet shumë i brishtë.