Kosova

Mustafa: Rezoluta e djeshme nuk është zgjidhje për dialogun

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se votimi në Kuvend i rezolutës së propozuar nga PSD për dialogun me Serbinë nuk është zgjidhje për dialogun.

Mustafa ka thënë se kjo është zgjidhje afatshkurtër, për të mbetur në pushtet koalicioni, siç e ka quajtur ai, i dështuar qeverisës, përcjell albinfo.ch.

“Ky nuk është vendim gjithëpërfshirës, siç dëshiron ta mashtrojë veten dhe adresën e vet ndonjë ndërkombëtar. Kosovës i nevojitet një proces i dialogut dhe marrëveshje e arritur dhe e përkrahur nga shumica e paraparë me Kushtetutë. Një marrëveshje e qëndrueshme. Çdo veprim tjetër është blerje kohe dhe mashtrim. Procesi dhe marrëveshja eventuale për dialogun e ekipeve të improvizuara pa legjitimitet me votë të qytetarëve dhe e institucioneve pa legjitimitet kushtetues është në dëm të Kosovës dhe do të kundërshtohet fuqishëm nga LDK-ja”, ka shkruar Mustafa.