Lajme
NATO-ja e rriti përkohësisht sigurinë në bazën e vet ajrore në Gjermani
Niveli i sigurisë në një bazë ajrore të NATO-s në perëndim të Gjermanisë u rrit përkohësisht për shkak të një “kërcënimi të mundshëm”, por u ul sërish të premten, tha Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
NATO-ja nuk e shpjegoi natyrën e kërcënimit të mundshëm kur njoftoi të enjten mbrëma për rritjen e nivelit të sigurisë në bazën ajrore në Geilenkirchen, por tha se i gjithë stafi joesencial u dërgua në shtëpi si masë mbrojtëse. Ajo tha se të gjitha operacionet vazhduan sipas planit.
Në bazën ajrore në Geilenkirchen, në afërsi të kufirit me Holandën, janë të vendosur avionët e vëzhgimit të Sistemeve të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror të NATO-s, të njohur si AWACS.
Në postimin e saj në X të premten, flota AWACS e NATO-s tha se niveli i sigurisë është kthyer në nivelin e mëparshëm. Ajo tha se rritja e përkohshme e nivelit të sigurisë ishte “masë paraprake”.
“Të gjitha operacionet e planifikuara janë duke u zhvilluar”, tha ajo.
Agjenci gjermane e lajmeve DPA tha se një gazetar i saj pa vetura të policisë në bazën ajrore. Policia konfirmoi praninë e saj në bazë të enjten mbrëma, por nuk dha hollësi.
Javën e kaluar, një bazë e madhe e forcave ajrore gjermane në afërsi të Këlnit u mbyll për disa orë, për shkak të frikës se furnizimi i saj me ujë ishte ndotur. Hetimi nuk gjeti prova të ndotjes.
Këto incidente ndodhën në një kohë frike për cenueshmërinë e mundshme të infrastrukturës ndaj tentimeve të Rusisë për sabotim.
Të enjten, prokurorët në Flensburg, në veri të Gjermanisë, thanë se po hetojnë dyshimet për spiunazh që ka për qëllim sabotimin, pa shpjeguar se kush mund të jetë prapa kësaj. /REL
E-Diaspora
-
Rama paralajmëron rritje të numrit të mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka bërë të ditur se qeveria shqiptare do të rrisë numrin... -
SH.K.A “Dardania” shpalos vlerat e valles shqiptare në “Tanzfest”, në Winterthur -
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur Kryesinë e re -
Prishtina fiton Kupën e Diasporës, pas penalltive mposht Kosovën e Gjenevës -
Dua Lipa në International Booker Prize Awards: Letërsia është ura më e fortë mes kulturave
Jeta në Zvicër
-
Qindra njerëz protestuan në Cyrih në mbështetje të atyre që vuajnë nga lodhja kronike Disa qindra njerëz u mblodhën të dielën në Europaplatz në Cyrih për të treguar solidaritetin e... -
Nga 70% në 30% në tetë vjet: Si e humbën paratë e gatshme betejën e pagesave -
Fundjavë me stuhi në Zvicër -
Çmimet e larta e bëjnë të vështirë hyrjen në bujqësi në Zvicër -
SWISS do të ulë nivelin e stafit administrativ me 10%













