Kosova

Ndërtesa e SHKA “Agimi” në Prizren po përdoret për muzikë tallava

Disa përfaqësues të Shoqëria Kulturore Artistike  “Agimi” në Prizren i janë drejtuar me një letër Ministrisë së Kulturës, nga e cila kërkojnë që ndërtesa e ShKA “Agimi: të hyj  në Listën e Trashëgimisë Kulturore

Shoqëria Kulturore Artistike  “Agimi” në Prizren shprehet e shqetësuar për siç thotë  veprimet degraduese që po ndodhin brenda ndërtesës së saj.  Për këtë ata i janë drejtuar me një letër të hapur edhe Ministrisë së Kulturës e cila në muajin nëntor vendosi që ta përfshijë ndërtesën e ShKA Agimit në Listën e Trashëgimisë Kulturore.

“Veprimet degraduese të një grupi të vogël individësh të papërgjegjshëm nuk kanë të ndalur. Ky grup që ka zaptuar ndërtesën e ShKA Agimit dhe ka përjashtuar qindra anëtarë pa përfillur asnjë procedurë, ka vazhduar me veprime klandestine dhe degraduese ndaj Agimit. Të vetëshpallur “Kryesi e Agimi”, këta individë kanë vazhduar të marrin vendime në kundërshtim me të gjitha procedurat e brendshme të Shoqërisë dhe ligjet e Kosovës që rregullojnë sektorin e shoqërisë civile. Ky grup i vogël individësh të papërgjegjshëm dhe zaptues, tani kanë shndërruar hapësirën e Shoqnisë në kafene burrash ku kultivohet tallavaja”, thuhet në reagim.

Ata kërkojnë nga Ministri i Kulturës, që në pajtim me autorizimet e tij ligjore dhe në përputhje me vendimin për të shpallur ndërtesën e Agimit aset të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të shtetit, të ndërmarrë veprime institucionale për të adresuar këto shqetësime.