Lajme

Ndeshje reviale: Kosova e Cyrihut – Ferronikeli i Drenasit

FC Kosova nga Cyrihu do të përballet të martën në Drenas me kampionin e Kosovës në futboll, KF Ferronikelin

Djelmoshat e një ekipi të futbollit që përfaqëson FC Kosovën në Cyrih kanë rënë në sy të dielën në aeroportin e Cyrihut.

Skuadra kosovare në Cyrih po udhëtonte për në Prishtinë për t’u përballur të martën me kampionin e Kosovës, Ferronikelin, në kuadër të një organizimi që kishin bërë Ministria e Diasporës dhe Federata e Futbollit të Kosovës.

Një fitore në ndeshjen që do të zhvillohet të martën, më 17.11.2015, duke filluar nga ora 13:00, në stadiumin e KF Ferronikelit në Drenas, do të ishte befasi për trajnerin e FC Kosovës, Enver Osmani.

„Niveli ku ne garojmë dhe niveli ku garon Ferronikeli është i ndryshëm. Ferronikeli luan në superligën kosovare dhe është ekip jashtëzakonisht i mirë dhe figuron të jetë në krye të tabelës, dhe është kampion aktual i Kosovës“, deklarohet për albinfo.ch para nisjes për në Prishtinë trajneri Osmani.

Ekipi i FC Kosovës nga Cyrihu megjithatë synon fitore në Drenas.

„Tashmë i kemi të gjitha informacionet se si luan Ferronikeli dhe me gjithë forcat tona do të bëjmë të pamundurën të bëjmë një befasi në Kosovë“, tha Osmani.

Gjithsesi do të jetë një ndeshje vëllazërore, ngase ishin mjaft të emocionuar djelmoshat e FC Kosovës se do të luajnë në vendin e tyre.

Kapiteni i FC Kosovës, Nusret Limani, i cili ishte lënduar në ndeshjen e fundit, ku edhe kishin pësuar humbje, thotë të jenë përgatitur mirë në përballjen e së martës me Ferronikelin.

„Besoj që do të sjellim një lojë të mirë. Skuadra më e mirë le të fitojë“, thotë ai duke shpresuar një rezultat të favorshëm për ekipin mysafir nga Zvicra.

Mikel Llazeri, një futbollist tjetër i FC Kosovës, thotë se po shkojnë në Kosovë mjaft të motivuar, ndërsa sa i përket lojës, thotë se do të krahasohen me nivelin e Ferronikelit.

„Ani pse janë favorit në Kosovë, ne do t’i sjellim vështirësi për fitore. Një barazim do të ishte ideal“, thotë ai për albinfo.ch.

Jusuf Shala, golashënuesi më i mirë i FC Kosova, është shprehur më optimist për takimin me kampionin e Kosovës.

„Ne, në fakt, po gëzohemi që po shkojmë në Kosovë, ngase fillimisht do të sjellim për shikuesit një atmosferë shumë të mirë futbolli dhe mendoj se do të jetë me të vërtetë festë“, thotë Shala.

Kështu që, në aeroportin e Prishtinës për futbollistët e skuadrës kosovare nga Cyrihu ishte organizuar një pritje madhështore. Mysafirët nga Zvicra  bashkë me tifozët e mledhur ia hodhën valles para aeroportit të Prishtinës.

Këtë vit Ministria e Diasporës e Kosovës organizoi kupën e diasporës në futboll, fituesi i kësaj kupe doli të jetë FC Kosova nga Zyrichu.
Ndeshja reviale Fc Kosova në Cyrih – Fc Ferronikeli nga Drenasi do të zhvillohet të marten, më 17.11.2015, duke filluar nga ora 13:00, në stadiumin e KF Ferronikelit në Drenas.

Të gjithë dashamirët e futbollit mund të përcjellin edhe një ndeshje interesante futbolli pas asaj në Prishtinë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.