Kriza në Ukrainë

Ukraina u sugjeron refugjatëve të mos kthehen deri në pranverë

Për shkak të mungesës së energjisë dhe ngrohjes, Qeveria në Ukrainë u ka bërë thirrje banorëve të ikur nga lufta që të mos kthehen deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Nëse keni mundësi, kalojeni dimrin jashtë shtetit!” ka thënë zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, të martën në televizionin kombëtar.

Sistemet e energjisë janë jostabile për shkak të sulmeve ruse, ka thënë ajo.

“Ju e shihni çfarë është duke bërë Rusia, secili e sheh atë gjë. Ju, fëmijët tuaj, gjithë familjarët tuaj që janë të sëmurë, kanë pak mundësi për të lëvizur apo janë edhe në moshë”, ka thënë Vereshchuk, transmeton rel, përcjell Albnfo.ch.

“Ne duhet të tejkalojmë këtë dimër”.

Mirëpo ajo ka thënë se pranverën e ardhshme mezi pret të shohë njerëzit duke u kthyer për të rindërtuar atë që është shkatërruar dhe për të dërguar fëmijët në shkollat ukrainase.